Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Çka me Donald Trump-in?

Prizren Post | 20:39 - 14.11.2016

Haris ADEMI

Haris ADEMI

Zgjedhja e Donald Trump-it president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një nga ngjarjet më të çuditshme dhe më të papritura politike të shekullit XXI. Komoditeti dhe siguria e madhe të cilën e kishin fituar opinioni i gjerë në lidhje me fitoren e pashmangshme të Hillary Clinton, duket se u thye dhe tashmë ka nxitur edhe reagime. Nëpër rrugët e shumë mega-qendrave amerikane po bëhen protesta kundër presidentit të ri me moton “NOT MY PRESIDENT!” . Kjo padyshim se nuk sjell ndonjë risi apo nuk e rrezikon fitoren e presidentit Trump, mirëpo më shumë shpie deri te një tentim për studim të gjendjes së re e cila është krijuar këto ditët e fundit.

Fitorja e Donald Trump duket se automatikisht do të sjellë ndryshime rrënjësore në politikat botërore. Trajtimi i problemeve globale, metodat për zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet mes shteteve të fuqishme ekonomiko-politike, siguria e të drejtave të njeriut, lufta kundër terrorizmit, e shumë aspekte tjera duket se do të marrin kahje tjetër, duke u bazuar në strategjinë e shpalosur të presidentit Trump gjatë kampanjës së tij zgjedhore. Këto ndryshime nuk janë mirëpritur nga shumë vende të botës, të cilat po e konsiderojnë të rrezikshëm dhe të frikshëm planin e presidentit amerikan, mirëpo ka prej tyre që i janë gëzuar fitores së tij dhe kanë dalur në përkrahje të mendimeve të tij.

Cilat janë pritshmëritë me Donald Trumpin president?

1. Donald Trump shihet si një president simpatik për Rusinë, e cila do të mundohet maksimalisht ta shfrytëzojë atë për interesa të veta politike. Edhe gjatë fushatës Donald Trump është kritikuar se ai është bashkpunëtor me rusët, madje në debatin e fundit presidencial të mbajtur më 19 tetor, Hillary Clinton i tha Donald Trump: “Ju vazhdoni të merrni ndihmë nga ai [Putini], sepse në mënyrë shumë të qartë ai ka një të preferuar në këtë garë.” Ajo madje e cilësoi atë si “kukull” të Putinit. Nëse kjo dilemë është e vërtetë, atëherë do të kemi një ndryshim radikal të politikës botërore, ku ndikimi rus do të shënojë rritje të mëdha.

2. Me rritjen e ndikimit të Rusisë në botë, automatikisht do të fillojë të bjerë ndikimi evropian, gjë të cilën e kemi vështirë ta përceptojmë. Situata shpie deri në dobësim maksimal të BE-së, ku shtetet perëndimore mund të ndahen mes vete (Britania e Madhe do të ndihet krenare që ka reaguar pa u shkaktuar hallakama). Perëndimi mund ta humb efektin politik që posedon sot. Pra, një Rusi mbi Evropën!

3. Nuk do të ketë luftë kundër islamit! Edhe vetëm një javë pas fitores së Donald Trump, njerëzit e tij kanë filluar t’i zbusin deklaratat e tyre në lidhje me luftën kundër islamit. Përkundrazi, situata që mund të krijohet në një të ardhme të shkurtër mund të jetë shumë e përshtatshme për zgjerimin e civilizimit islam, qendër e të cilit po bëhet Turqia, si njëra ndër pretendentet kryesore që të bëhet fuqi botërore. Zhvillimi i shpejtë i shtetit turk në dekadën e fundit, me nga 7% rritje ekonomike çdo vit, paralajmëron një Turqi të fuqishme brenda një periudhe të shkurtër kohore.

4. Si një biznesmen i suksesshëm, presidenti Trump do të përkushtohet maksimalisht në ngritjen ekonomike të SHBA-ve. Fokusi kryesor i tij do të jetë brenda shtetit, dhe qëllimi i tij kryesor për kohën sa do t’i shërbejë popullit amerikan është që ekonomia në vend të shënojë rritjet më të mëdha të mundshme. “Money rules the world!”

5. Dhe së fundmi, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë pse shqetësohen për zgjedhjen e Donald Trump president. Ai me siguri se nuk do të hakmerret ndaj fushatës përkrahëse të Ramës e Thaçit për Hillary Clinton. Kjo edhe një herë ka dëshmuar se jemi një popull që “e nxejmë defin ende pa u caktu dasma”. Pozita gjeografike e trojeve shqiptare e “detyron” Amerikën që të na ndihmojë në proceset tona integruese.

E ardhmja po na premton për shumë ndryshime rrënjësore. Mirëpo, sa do të jetë bota në gjendje t’i menaxhojë ato në të mirë të njerëzimit, ende mbetet enigmë!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company