Çka përfiton Kosova prej INTERPOL-it?


E premte, 16 Nëntor 2018

PRISHTINË – Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme në Dubai, Kosova do të jetë pjesë e organizatës më të madhe policore, INTERPOL-it pasi edhe kjo organizatë ka nevojë që ta ketë Kosovën pjesë të saj.

Kështu kanë thënë në një prononcim për Telegrafin kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala, si dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Deputeti Shala ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që jetë pjesë e INTERPOL-it.

Sipas tij, INTERPOL-i ka interes që ta ketë Kosovën pjesë të saj, por edhe Kosova ka interes të jetë pjesë e kësaj organizate.

“Besoj që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që të jetë pjesë e INTERPOL-it, ose pjesë e informacioneve ndërkombëtare. Edhe vendet fqinje edhe ato evropiane dhe të gjithë anëtaret e INTERPOL-it, kanë nevojë nga institucionet tona të sigurisë që të kenë informata më të hollësishme për të gjitha të këqijat që mund të vijnë nga vendi ynë, siç është krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, trafikimi me drogë, etj. Por edhe INTERPOLI ka interes që ta ketë Kosovën pjesë të këtij mekanizmi, siç ka interes dhe Kosova për shkëmbimin e drejtpërdrejt të informatave mes këtij institucioni dhe institucioneve tona të sigurisë”, ka thënë Haxhi Shala për Telegrafin.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, theksoi se Kosova tashmë do të jetë pjesë e organizatës më të madhe policore të INTERPOLI-t.

Islami, tha se përfitimet Kosovë-INTERPOL janë të dyanshme.

“E flas me bindje të plotë se Kosova tashmë do të jetë pjesë e organizatës më të madhe policore të INTERPOL-it. Mendoj që përfitues më i madh është INTERPOLI por edhe Kosova. Kosova do të jetë e lidhur drejtpërsëdrejti me datotekën kryesore në Paris dhe do të komunikoj drejtpërdrejt me policinë si motra të gjitha vendeve, më se 190 vende të cilat janë pjesë e kësaj organizate”, potencoi ai.

Islami po ashtu tha se Kosova do të ketë qasje të drejtpërdrejt në persona të cilët janë të involvuar në terrorizëm, krim të organizuar, trafikim me qenie njerëzore etj.

“Me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë veçse bëhet edhe lidhja e një hallke zinxhirore, pasi Kosova ka është një hallkë e shkëputur… Tash e tutje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL do të ketë qasje direkte në dokumentacion dhe databazën e INTERPOL-it. Shumë të dyshuar kriminel serb nuk do të jenë të qetë sepse tashmë Kosova do të ketë të drejtë të lëshoj fletarrestim ndërkombëtare për persona të cilët kanë kryer krime në Kosovë. E ata nuk do të mund të qëndrojnë as në vendet perëndimore e as në Serbi”, u shpreh tutje njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Ndryshe, Kosova tash e sa vite synon anëtarësimin në Interpol.

Aplikimin e parë për anëtarësim në INTERPOL, Kosova e kishte bërë në vitin 2010 dhe më pas e kishte përsëritur 5 vjet më vonë. Në vitin 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.

Javën që vjen pritet të votohet rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës kanë lobuar në shtete të ndryshme për të marrë përkrahje që Kosova të jetë pjesë e INTERPOL-it.

Ndryshe, institucionet e shtetit serb në vazhdimësi kanë bërë përpjekje që të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe organizata tjera të rëndësishme, ku Kosova ka tentuar të anëtarësohet.

Etiketa: , , ,