Çollaku: Në vitin 2016, pa viza në BE


E mërkurë, 22 Korrik 2015

Prishtinë – Kosovarët vitin e ardhshëm do ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, pa viza, në shtetet e zonës Schengen, ashtu siç e gëzojnë këtë të drejtë të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, duke shtuar se gjatë muajve të verës do të nënshkruhet edhe Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA) mes Kosovës dhe BE-së, nga e cila vendi do të ketë edhe përfitime të shumta ekonomike.

Sipas tij, MSA-ja do të këtë ndikim pozitiv edhe në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte, pasi që, siç thotë ai, investitorët e mëdhenj nuk e trajtojnë njëjtë një vend i cili nuk ka asnjë marrëdhënie me BE-në dhe një vend i cili është duke e zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Duke folur për kthimin e kosovarëve që emigruan ilegalisht në vendet e ndryshme të BE-së, Çollaku ka bërë të ditur se nga 1 janari 2015 deri më tani janë riatdhesuar mbi 11.000 qytetarë. /Zëri/