E shtunë, 18 Korrik 2015
Ish-ndërmjetësuesi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Robert Cooper, beson se kuptimi i dialogut dhe rezultatet e saj nuk nënkuptojnë se Beogradi duhet ta njeh Kosovën në mënyrë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së, por duhet gjetur mënyra për të bashkëpunuar. “Parimi më i rëndësishëm në të cilin zhvillohet dialogu, është se nuk duhet paragjykuar rreth pranimit të shtetësisë. Edhe Serbia edhe Kosova kanë qenë të obsesionuara pas kësaj çështjeje. Besojmë se është më e arsyeshme që këtë çështje ta lëmë anash. Ekzistojnë shumë shembuj të vendeve që në njëfarë mënyre nuk e kanë njohur njëra-tjetrën, por vazhdojnë të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar”, ka deklaruar Cooper për portalin European Western Balkans. Në përgjigje të kritikave se dialogu ka ndryshuar pak në praktikë, ai tha se ideja themelore e dialogut as që ka qenë ndryshimi i realitetit, por ballafaqimi i realitetit duke vendosur sundim të ligjit. Sipas tij kjo ka qenë filozofia kur të bisedohet për veriun e Kosovës në pjesën politike të dialogut. “Nuk kemi dashur të ndryshojmë mënyrën me të cilën populli serb jeton në Kosovë, sepse e konsiderojmë të arsyeshme që zyrtarët policor dhe të gjykatave në veri të jenë serbë. Por ata duhet të punojnë sipas ligjit të atij vendi, në këtë rast sipas ligjit të Kosovës (ligj që duhet të përmbush standardet evropiane)”, ka deklaruar Cooper, transmeton lajmi.net. Sipas fjalëve të tij, është e papranueshme që gjykata të funksionojnë falë financimit të fshehtë të qeverisë në Beograd. “Megjithatë është e saktë se serbët në Kosovë duhet të kenë një zë në çështjet që kanë të bëjnë në mjekësinë, në mënyrë që vizioni i tyre për gjëra të njohura të merret në konsideratë. Kjo nuk do të thotë se ata kanë të drejtë vetoje, por mbrojtja normale evropiane e minoriteteve duhet të merret parasysh. E gjithë kjo do të duhej të ishte e hapur dhe në përputhje me ligjin”, ka shtuar diplomati britanik. Ai theksoi se gjënë më të mirë që Serbia mund ta bëjë nëse dëshiron që shpejt të hyjë në BE, është të negociojë seriozisht dhe menjëherë të dakordohet për aplikim. Duke komentuar mbi qëndrimin e vendeve të caktuara që Serbia duhet ta njohë Kosovën para se të bëhet anëtare, Cooper ka deklaruar se zor se mund të insistohet që Serbia të bëjë një gjë të tillë, duke marrë parasysh se pesë anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. “Por, sipas mendimit tim, në çdo rast kjo nuk është pika qendrore”, ka shtuar Cooper. Diplomati britanik i cili ka marrë pjesë në dialog që nga fillimi i tyre në kohën sa ishte përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, konsideron se Serbia duhet të ketë marrëdhënie normale me të gjithë fqinjët e saj, përfshirë edhe Kosovën.