E martë, 11 Qershor 2013
E përditshmja serbe “Danas” ka nderuar zv/kryeministrin e Republikës së Kosovës Sllobodan Petroviq. Zëvendësi i kryeministrit Thaçi, ka marrë pjesë në një ceremoni të organizuar nga kjo e përditshme në Serbi, ku bashkë me dy personalitete të tjera është nderuar për bashkëpunim korrekt me gazetën dhe me mediet në përgjithësi.
Përfaqësuesit e gazetës kanë thënë se po e nderojnë Petroiviqin edhe për kontributin e tij simbolik në normalizimin e marrëdhënieve.
“Jam i nderuar. Kjo është një mirënjohje e rëndësishme për punën time. Faleminderit atyre që më kanë mbështetur dhe ju që e shkruani të vërtetën. Shpresoj që të shkruani edhe për shumë vjet në të ardhmen”, ka thënë Petroviq.
Në një prononcim për gazetën ‘Tribuna’, zv/kryeministri kosovar nga radhët e komunitetit serb ka thënë se çmimi i jep mbështetje politikës që ai dhe partia e tij e kanë ndjekur në Kosovë.
“Çmimi është edhe një dëshmi se artikulimi i politikës sonë në Kosovë është i duhuri, dhe natyrisht është një shtytje për ne që të vazhdojmë më tutje. Çmimi është i rëndësishëm edhe për faktin se e marrim nga një gazetë serioze, e cila ka numër të madh të lexuesve, jo vetëm në Serbi por edhe jashtë”, ka thënë Petroviq.
Sipas Petroviqit, çmimi vërteton se pavarësisht lëkundjeve të fundit, SLS mbetet partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
“Natyrisht ky vlerësim e vërteton edhe njëherë se SLS është partia më e madhe serbe në Kosovë, kjo është dëshmuar edhe nga zgjedhjet dhe votat që kemi marrë, pasi vetëm kemi fituar më shumë vota se të gjitha partitë tjera serbe dhe kjo natyrisht është dëshmi se qytetarët po na mbështesin ne”, ka thënë Petroviq.