Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

De Biazi: Fitojmë me zgjuarsi dhe vendosmëri

Prizren Post | 10:03 - 03.09.2015

Tiranë – Shqipëria e futbollit edhe një herë tjetër është bërë sensacion mediatik në Itali. Ajo ka marrë vëmendjen e medieve për grumbullimin në këtë vend, pas ndeshjes së Gjenovës. Ngjyra kuqezi, shikimi i mrekullueshëm në shkallët e “Raffaele D’Agostin”, të Pieve di Soligo kanë tronditur fshatin e vogël që mirëpret kombëtaren e “shqiponjave” në funksion të përgatitjes për ndeshjen me Danimarkën, takim ky kyç për ndeshjen e Grupit I për kualifikueset e “Euro 2016”. Entuziazmi i tifozëve, koret, flamujt. Duket si “Qemal Stafa”, shtëpia e kombëtares shqiptare.

Dhe mes tyre Xhani De Biazi. Italo-shqiptari si “vendali” është i bindur se gjërat këtë herë janë ndryshe nga takimet e tjera. “Jemi në një pozicion shumë të mirë, por pjesa më bukur vjen tani. Do të më pëlqente të merrnim një rezultat pozitiv me Danimarkën me të cilën luftojmë për vendin e dytë dhe të tretë. Shumë lojtarë luajë në Itali, të tjerët luajnë në Zvicër. Ne menduam se, në planin logjistik, Aeroporti i Venecias mund të jetë zgjidhja më e mirë për të arritur këtu, por edhe për t’iu drejtuar Kopenhagenit të enjten pasdite.

Që këtu, udhëtimi do të zgjasë një orë e gjysmë. Këtu në Veneto ka shumë shqiptarë. Ne ishim të rrethuar praktikisht nga dashuria e tifozëve. Dhe kjo është diçka krejt normale. Për ata që jetojnë në një vend të huaj (edhe pse ata tani e konsiderojnë Italinë si një atdhe të dytë), të shikojnë lojtarët e kombëtares së tyre është diçka shumë e bukur. Dhe unë mendoj se kjo është një kënaqësi e madhe e dyanshme. Përulësia, dëshira për të punuar dhe dëshira për sukses është karakteristikë e shqiptarit.

Megjithatë, asnjëherë më parë nuk kanë arritur të jenë plotësisht të kënaqur me kombëtaren e tyre, sepse nuk është kualifikuar dot në finalet e një Europiani apo Botërori. Jam munduar t’i mësoj shqiptarët se në futboll rritesh dita-ditës, me sakrificë. Si italian që jam, produkt i një shkolle të njohur të futbollit në Europë, jam përpjekur të kufizoj të metat e tyre dhe të nxjerr në pah ato që janë paksa “karakteristika të vendit tonë”, si kreativiteti, zgjuarsia dhe vendosmëria”, është shprehur Xhani De Biazi. Gjithsesi, më shumë se fjalët e trajnerit ata që kanë surprizuar si në Gjenova, ishin tifozët.

Grupi i tifozëve me flamuj dhe fanella të përfaqësueses kanë pritur lojtarët që në hyrjen e stadiumit, ndërsa më pas kanë ndjekur seancat e hapura stërvitore. Trajneri i kombëtares, Xhani de Biazi, parashikoi edhe një stërvitje të hapur në të njëjtin stadiumin në orën 18:00 të ditës së mërkurë. Kombëtarja shqiptare do të niset të enjten për ne Kopenhagë, ku të premten do të luhet ndeshja Danimarkë–Shqipëri.

Përsa i përket gjykimit, do të jetë skocezi Uilliam Kollum ai që do të vendosë drejtësi në sfidën e kësaj të Premteje mes Danimarkës dhe Shqipërisë që do të zhvillohet në stadiumin “Telia Parken” të Kopenhagenit. UEFA ka publikuar emrat e arbitrave që do të gjykojnë sfidat e ardhshme eliminatore për Euro 2016 dhe ajo mes kombëtares tonë edhe asaj skandinave i është besuar pikërisht 36-vjeçarit nga Gllasgou. Uilliam Kollum është një arbitër shumë i njohur dhe me shumë përvojë në arenën europiane teksa në këto vitet e fundit ka gjykuar ndeshje të një niveli shumë të lartë.

500 tifozë të paktën kanë qenë për të përkrahur ekipin kuqezi dy ditë më parë në Itali

Presidenti i Torinos

“Jam i ndershëm. Kur sapo kisha mbushur 9 muaj në krye të Torinos, arrita ta ngjisja skuadrën në Serie A. Asokohe mendoja se kisha aftësi të jashtëzakonshme që nuk me lejonin të bëja gabime në vendimet e mia. Mendoja se isha mbreti dhe nisa të bëja gjëra të pamenduara, ku ndër të tjera, shkarkimin e trajnerit De Biazi përpara se kampionati të fillonte. E riktheva, e largova dhe e mora sërish, prandaj përfitoj nga kjo intervistë për t’i kërkuar falje. Mendoja se kuptoja gjithçka nga futbolli, por kisha dalë nga kontrolli, sepse futbolli është një fushë shumë e vështirë”./Shekulli/


Arivisti Company