E enjte, 4 Dhjetor 2014
Tiranë – Diskutimi nen për nen i projektligjit për disiplinimin e Forcave të Armatosura ka sjellë debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko sugjeroi t’u njihet e drejta ushtarakëve për të kundërshtuar urdhrat e paligjshme. Një diskutim i tillë sipas tij, po bëhet në të gjitha ushtritë moderne të NATO-s. Por, për Spartak Brahon, në këtë mënyrë ushtria do të bëhej çorap. Ndërsa socialisti Bashkim Fino ritheksoi nevojën që masat disiplinore mos jenë të detajuara në ligj por me akte nënligjore. Një tjetër kritikë draftit të sjellë nga Ministria e Mbrojtjes, iu bë nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili kundërshtoi përjashtimin nga dy masa disiplinore të femrave. Sipas tij barazia gjinore nënkupton të drejtat, por dhe detyrimet. Të gjitha këto diskutime bënë që nenet,11,12 dhe 13 të lihen për t’u rishikuar nga Komisioni i Sigurisë.
Diskutimet
“Po diskutohet nga disa qendra të strategjisë e drejta e ushtarakut për të kundërshtuar urdhrat e paligjshëm. Mendoj se duhet t’i njohim ushtarakut të drejtën të kundërshtojë urdhrin e paligjshëm. I kërkojmë ushtarakut të mos nxjerrë as fotografi në “Facebook”, këtë mund ta shikoni me thënë të drejtën, por duhet të njihet e drejta për të kundërshtuar urdhrin e paligjshëm, kjo po diskutohet në të gjitha ushtritë moderne”, – deklaroi dje Majko gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve. Por kundërshtimi ka ardhur nga deputeti Braho, i cili është njëherësh dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë. “Kjo do e bëjë çorap ushtrinë”, – pohoi ai. Por sipas Majkos çdo ushtarak del para Komisionit të Disiplinës dhe atje, së bashku me eprorin, mund të japë arsyet e moszbatimit të urdhrit. Kryetari i Ligjeve, Fatmir Xhafaj sugjeroi që propozimi i Majkos t’i përcillet komisioni përgjegjës. Të tjera kritika për draftin e Ministrisë së Mbrojtjes kanë ardhur nga deputeti Vasili. Ai e konsideroi të padrejtë përjashtimin nga disa masa disiplinore të ushtarakeve femra. Sipas shpjegimit të përfaqësueses së Ministrisë së Mbrojtjes: “Është zbatuar parimi i diskriminimit pozitiv për sa kohë që një numër i madh i femrave të FAsë janë familjare”. “Jam i prerë në këtë pikë dhe do votoj kundër kësaj, sepse nëse bëhet fjala për shkeljet ato nuk kanë seks, janë të një njeriu në detyrë që ka shkelur detyrën. Një nga gjërat që kemi ngritur në princip është barazia gjinore. Diskriminimet pozitive dhe negative janë pa sens. Barazia gjinore është parim i shenjtë, të barabarta në karrierë, promovim, por dhe dënim”, – deklaroi Vasili. Ndërsa socialisti Xhemal Qefalia, i cili është dhe relatori i këtij projektligji, sugjeroi që pjesë e masave disiplinore të lehta të jenë dhe dhuratat e marra nga vartësit.
Deputetja Vasilika Hysi u shpreh kundër ndalimit disiplinor i cili sipas saj është izolim. “Edhe më e rëndë pika c, ndalimi disiplinor, ky është izolim edhe pse ju e keni zbutur termin. Këto masat e rënda duhet të kenë procedura specifike, mendoni një person të jetë i sëmurë me diabet ose zemër ta mbyllësh 72 orë?”, – deklaroi ajo por u kundërshtua fort nga Xhafaj. “Po kjo nuk është OJQ tani, dreqi ta hajë, është ushtri”, -tha ai duke marrë mbështetjen dhe të ligjvënësve të tjerë. E ndërsa socialisti Bashkim Fino iu rikthye qëndrimit që masat disiplinore mos përcaktohen në ligj, por akte nënligjore, edhe pse përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes solli si model ligjin britanik e gjerman. “Argumentimet e ministrisë janë shkatërruese për mua. Unë ashtu e dua ushtrinë si ajo britanike dhe gjermane. Problemi është se ti nuk ke pse i lidh duart vetes, duke shënuar masat në ligj. Shkruan në ligj që ke shkelje disiplinore të lehta, të rënda dhe shumë të rënda dhe më pas thua me akte nënligjore do shprehemi për këto shkelje disiplinore. Në momentin që e lë kështu i jep mundësinë Shefit të Shtabit, qeverisë, Komandantit të Përgjithshëm po të duash, të nxjerrë një akt jo me kaq pika sa ke nxjerrë por dhe dyfish po të duash”, – deklaroi Fino duke iu drejtuar sërish përfaqësuesve të ministrisë. Edhe ky sugjerim i Finos u vendos të përcillej si rekomandim në Komisionin e Sigurisë.
Pas diskutimeve deputetët votuan në tërësi ligjin. Po dje drafti u diskutua dhe në Komisionin e Sigurisë ku ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Gjatë diskutimeve deputeti Arben Çuko kërkoi përfshirjen si masë disiplinore dhe shkarkimin nga Forcat e Armatosura, ndërsa sugjeroi që masa disiplinore për Shefin e Shtabit mos mbetet vetëm në dorë të presidentit. Socialisti Ulsi Manja duke theksuar shkeljet disiplinore përmendi përdorimin e mjeteve ushtarake për qëllime elektorale. “Rasti më i qartë është rasti i Elbasanit, ku kandidonte ish-ministri i Mbrojtjes, të gjitha mjetet e ushtrisë dhe i gjithë stafi ushtarakëve ishin vënë në dispozicion të një fushate elektorale”, – theksoi ai duke shtuar se “Ka edhe një rast konkret të Gërvenit që po gjykohet në gjykatat shqiptare për përdorimin me keqdashje të uniformës dhe simboleve ushtarake”. Pas diskutimeve drafti u miratua parimisht.
Diskutimet për disiplinimin e FA-së
Përfaqësuesi i ministrisë: Pas sugjerimeve të zotit Fino kemi bërë një ripunim, duke e ndarë nenin e masave disiplinore, por duke parë dhe legjislacionin e shumë vendeve të NATOs rezulton se të gjitha këto masa duhen përfshirë në ligj. Ju kujtoj se ligji i Mbretërisë së Bashkuar ka një libër të madh me gjithë aktet, ka 344 faqe apo Gjermania me 67 faqe. Xhafaj: Mos na krahaso me Britaninë dhe Gjermaninë gjithsesi shoh që keni reflektuar sugjerimin e kolegëve dhe e keni ndarë.
Fino: Argumentimet e ministrisë janë shkatërruese për mua. Unë ashtu e dua ushtrinë si ajo britanike dhe gjermane. Problemi është se ti nuk ke pse i lidh duart vetes duke shënuar masat në ligj. Nëse ti thjesht e ndan në nene duke u krahasuar me Gjermaninë e Britaninë thjesht i lidh duart vetes tënde. Nuk kam probleme me shkeljet që keni renditur ju…
Braho: Zgjidhet te Komisioni i Sigurisë ajo…
Fino: Unë kam të drejtë të bëj vërejtje.
Lutaj: Mbështes parafolësin. Do sugjeroja që këtë nen ta lëmë për ta riformuluar…
Qefalia: Në nenin 11 të shtohet një pikë tek shkeljet disiplinore të lehta që të konsiderohet shkelje dhe pranimi i dhuratave ose ndonjë përfitim nga varësit apo persona të tjera që kanë lidhje me shërbimin ushtarak.
Përfaqësuesja e ministrisë: Dhuratat thoni ta shtojmë tek shkeljet disiplinore të lehta?
Xhafaj: Po aty tha. Ju lutem ndiqini kolegët deputetë se ata janë duke e ndjekur. Ndiqeni dhe ju të ministrisë debatin. Mbajeni mendjen në mësim.
Majko: Po diskutohet nga disa qendra të strategjisë e drejta e ushtarakut për të kundërshtuar urdhrat e paligjshëm. Do ju lutesha që specialistët ta shikojnë në komisionin përgjegjës të drejtën e ushtarakut për të kundërshtuar urdhrin e paligjshëm. Fola dje dhe me ministren dhe ramë parimisht dakord.
Braho (pa mikrofon): Do e bëjë çorap ushtrinë.
Majko: Që të marrë guximin një ushtarak të thotë “jo” duhet të mendohet 14 herë, por ama këtë të drejtë duhet ta njohim, sepse në fund fare do venë dhe te Komisioni i Disiplinës ku së bashku me eprorin të thotë ‘nuk e zbatova për këtë arsye’.
Xhafaj: Ta vendosë komisioni përgjegjës.
Hysi: Ju keni vënë si masa disiplinore të rënda kufizimin e lëvizjes në kufij të përcaktuar. Këto masat e rënda duhet të kenë procedura specifike, mendoni një person të jetë i sëmurë me diabet ose zemër ta mbyllësh 72 orë?
Xhafaj: Po kjo nuk është OJQ tani dreqi ta hajë, është ushtri./shekulli/