“Diktatura e butë” në Maqedoni mund të legalizohet!


E enjte, 10 Prill 2014

Shkup, 10 prill- VMRO-DPMNE kërkoi përkrahje nga të gjithë qytetarët që në zgjedhjet parlamentare të fitojë 62 deputetë, që siç thotë lideri i tyre Nikolla Gruevski, të mos kushtëzohen.

Sipas tij, ata njëherë kanë pasur 63 deputetë dhe nuk kanë bërë asnjë gabim ose dëm, por projektet më mirë janë realizuar.

Ndërsa BDI kërkoi të fitojë 25 deputetë që të ketë ndikim më të madh në Qeveri dhe përparim të integrimeve euroatlantike. Por sa do të ishin të rrezikshme këto dëshira, në vend që të zhvillojnë demokracinë në vend?

Analisti politik Sonja Stojadinoviq thotë se qysh moti në vend nuk po mbizotëron demokracia, por vetëm po aktrohet.

“Deri tani kemi pasur de facto një diktaturë të butë, ndërsa nëse tani realizohen dëshirat e VMRO-DPMNE-së në lidhje me numrin dominant të deputetëve, 62 deputet në Kuvend, do të kemi edhe de jure një diktaturë të butë”, ka thënë Stojadinoviq.

Analisti politik Alajdin Demiri thotë se kërkesat e dy partive janë marketing dhe nuk janë reale.

“Ata shërbejnë për rritje të numrit të elektoratit, sepse nëse realizohen kërkesat e tilla ajo do të ishte fillim i rrënimit të Maqedonisë, sepse as Gruevski e as Ahmeti nuk mund të bëjnë asgjë të tillë. Nuk mund shqiptarët të dëbohen nga Qeveria”, mendon Demiri për REL.

Sipas Stojadinoviqit, nuk do të jetë e volitshme për VMRO-DPMNE-në të fitojë atë numër të deputetëve.

“Do të kisha bërë një krahasim me suksesin jonormal, të paparë, jodemokratik të Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet e fundit në Serbi, sepse sa më shumë një parti ka pushtetin në duart e veta, aq më shumë ka edhe përgjegjësi, ashtu që do të ishte i gabuar hapi i VMRO-DPMNE-së, nëse realizohen dëshirat e tyre, përgjegjësia e tyre për çdo hap tjetër të gabuar, dhe do të ketë shumë, do të bie vetëm mbi kurrizin e tyre dhe nuk do të kenë të drejtë, as bazë për të akuzuar dikë tjetër.”

Stojadinoviq shton se e njëjta vazhdon edhe për BDI, sepse trupi votues shqiptarë mund të jetë shumë më i ashpër në dënimin e partive të tyre./zhurnal/

Etiketa: ,