Drejtoritë Komunale të Arsimit të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor


E enjte, 29 Gusht 2019

PRISHTINË – Në prag të këtij fillim viti të ri shkollor, Asociacioni i Komunave të Kosovës mbajti takimin e Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsimit me qëllim të koordinimit të përgatitjeve të duhura për një fillim sa më të mbarë të vitit të ri shkollor, si dhe sfidave aktuale me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës (MASHT).

Për këtë arsye në takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MAShT z. Alush Istogu i cili shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë që përfaqëson për një bashkëpunim të vazhdueshëm me Kolegjiumin e Drejtorëve të Arsimit si dhe me AKK-në me qëllim të avancimit të sistemit arsimor në komuna.

Në një diskutim të hapur u paraqitën probleme të ndryshme të cilat janë paraqitur në komuna dhe kërkojnë vëmendjen e duhur nga MASHT, e të cilat kërkojnë shqyrtimin dhe zgjidhjen e duhur në shërbim të komunave.

Nga takimi është parë shumë i nevojshëm një bashkëpunim edhe më i ngushtë në mes të MASHT dhe Komunave edhe në aspektin legjislativë, për shkak të dualizmave të ndryshme që janë si pasojë e Ligjeve ekzistuese dhe Udhëzimeve Administrative të ndryshme të cilat nuk janë në harmoni me njëra tjetrën dhe si rezultat këto dualizma shkaktojnë telashe dhe paqartësi në punën e përditshme të DKA-ve në Komuna.

Me qëllim të shqyrtimit të këtyre problemeve me Ligjet dhe Udhëzimet Administrative në fuqi u vendos që shumë shpejt MASHT dhe Komunat të organizojnë takime të përbashkëta të veçanta për t’u marrë me këto çështje, në mënyrë që të eliminohen paqartësitë eventuale e të cilat janë shkaktare të këtyre problemeve.

Me qëllim të koordinimit të përgatitjeve të nevojshme për fillimin e fushatës shtetërore kundër narkotikëve dhe sigurisë në shkolla, me rastin e fillimit të vitit shkollor 2019/2020, shefi i Task Forcës shtetërore kundër drogës dhe sigurisë në shkolla z.Avdullah Hasani, tregoi rolin dhe rëndësinë e sistemit arsimor në ndërmarrjen e masave për luftimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike.

Ai shprehu gatishmërinë që përmes MAShT-it dhe Asociacionit të Komunave të bashkëpunoj me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe kërkoj që të bëhet një koordinim më i mirë ndërinstitucional për luftimin e kësaj dukurie negative e cila është në rritje viteve të fundit.

Po ashtu në mbështetetje të kësaj nisme do të shikohet mundësia e hartimit të një plani gjithëpërfshirës në korrikulen e arsimit në mënyrë që të ketë një informim me përmbajtjesor për sëmundjet e transmetushme dhe kundër narkotikëve, gjithashtu, të eliminohen të gjitha pengesat në legjislacion në mënyrë që të realizohen objektivat e TaskForcës dhe institucioneve antare të saj.

Etiketa: , ,