Dritan Prifti: Kërcënime me jetë që të tërhiqem


E shtunë, 15 Qershor 2013

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Fierit, Dritan Prifti, deklaroi dje se është kërcënuar me jetë në telefon nga persona që i kanë kërkuar të tërhiqet nga gara elektorale.

Prifti, në një deklaratë para mediave në Fier, ka pohuar se ka bërë kallëzim penal në Polici dhe Prokurori në lidhje me kërcënimet që i janë bërë, transmeton Panorama. “Kanë qenë dy persona që kanë kërcënuar me jetë nëpërmjet telefonit, ata janë Ergi Duçellari dhe Arsi Grëmi”, ka thënë Prifti, duke shprehur dyshimet e tij se personat në fjalë i përkasin subjektit të LSI-së. Prifti theksoi në deklaratën para mediave se dy personat në fjalë i kanë thënë që të largohet nga fushata e të mos shkojë më në takime nga qytetarët. “Më kanë thënë që nëse vazhdon fushatën, do të të rrezikohet jeta”, theksoi Prifti. Pas deklaratave të kandidatit të pavarur për deputet, ka reaguar dje edhe Policia e Fierit. Në një komunikim zyrtar me median, Drejtoria e Policisë së Fierit thekson se ka nisur hetimet për kanosjen e Dritan Priftit.

“Në lidhje me deklaratat e dhëna nga deputeti dhe kandidati i pavarur Dritan Prifti për kërcënimet e bëra kundrejt personit të tij në telefon nga dy shtetas, nga ana e Drejtorisë së Policisë Fier, bazuar në kallëzimin e bërë, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë, janë kryer veprimet e para procedurale”, thuhet në komunikimin e Policisë. Sipas saj, është bërë shoqërimi i këtyre shtetasve për të dhënë shpjegimet e tyre në Policinë e Fierit.

Burimet zyrtare thanë se për këtë çështje hetimet po vazhdojnë. Dritan Prifti ka theksuar se do ta vazhdojë garën e tij elektorale, duke shprehur besimin se do të mund të fitojë në zgjedhjet e 23 qershorit. Prifti ka folur për një fletëpalosje të shpërndarë nga Partia Demokratike, e cila në foton e fletës së votimit nuk kishte të shënuar numrin 67, që i përket kandidatit Prifti.

Etiketa: ,