Edhe Shqipëria burg për shqiptarët që luftojnë në Siri


E diel, 23 Shkurt 2014

Tiranë, 23 shkurt – Pjesëmarrja e shtetasve shqiptarë në konfliktet e armatosura jashtë vendit do të cilësohet vepër penale në Shqipëri dhe do të dënohet me burg.

Kjo parashikohet në një propozim të kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafajt dhe një grupi deputetësh, të cilët kërkojnë ndryshime në Kodin Penal.

Ky propozim pritet që të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve. Lajmin e bën të ditur “A1 Report”. Mësohet se këto ndryshime vijnë pas konsultimeve me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, si edhe me ekspertë të ndryshëm të fushës.

Nisma vjen në një kohë kur numri i xhihadistëve shqiptarë që luftojnë në Siri po pëson rritje. Që nga nisja luftës civile atje, me dhjetëra shqiptarë që kanë shkuar për të luftuar kanë gjetur vdekjen. Gjithashtu, sipas raporteve të publikuara në mediat e huaja, janë me qindra shqiptarë që luftojnë përkrah rebelëve në Siri.

Ndërkohë, disa javë më parë, Kosova miratoi projektligjin i cili ua ndalon shtetasve kosovarë pjesëmarrjen në konfliktet e armatosura jashtë vendit. Sipas ligjit, i cili ka hyrë në fuqi, dënimet për këtë vepër penale shkojnë deri në 15 vjet burg./shekulli/

Etiketa: