E enjte, 5 Shkurt 2026

Gogësima ka qenë prej kohësh një nga fenomenet më misterioze të biologjisë njerëzore. Por një studim i fundit i kryer në fillim të këtij viti nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor në Australi ka zbuluar fakte befasuese që sfidojnë gjithçka që dinim deri më sot.
Përmes përdorimit të teknologjisë së rezonancës magnetike (RMN) për të skanuar kokën dhe qafën e pjesëmarrësve, shkencëtarët kanë zbuluar se gogësima shkakton një lëvizje krejtësisht të pazakontë të lëngut cerebrospinal, i cili shërben si mburojë dhe sistem pastrimi për trurin tonë.
Deri më tani, shkenca besonte se gogësima ishte thjesht një formë e frymëmarrjes së thellë. Por imazhet e skanerit treguan një ndryshim rrënjësor: ndërsa frymëmarrja e thellë e dërgon lëngun drejt trurit, gogësima e shtyn atë në drejtim të kundërt, duke e larguar nga masa trunore.
Neuroshkencëtari Adam Martinac u shpreh i mahnitur nga ky zbulim, duke theksuar se ky proces mund të jetë një mekanizëm i panjohur i “pastrimit”, të mbetjeve metabolike ose një mjet për ftohjen e temperaturës së brendshme të trurit.
Analiza e detajuar zbuloi gjithashtu se gjatë fazës fillestare të gogësimës, rrjedha e gjakut arterial karotide rritet me rreth një të tretën, duke pompuar gjak të freskët dhe krijuar hapësirë për proceset neurologjike. Një tjetër gjetje interesante, ishte fakti se çdo individ ka një model unik dhe të përsëritshëm të gogësimës, gjë që sugjeron se ky veprim nuk është i mësuar, por një aspekt i lindur i programimit tonë neurologjik.
Edhe pse mbetet ende për t’u qartësuar plotësisht ndikimi afatgjatë i këtij ndryshimi të lëngjeve, studiuesit besojnë se gogësima është një sjellje shumë adaptive që luan një rol kyç në mbajtjen e homeostazës së sistemit nervor qendror, duke vërtetuar se ky veprim kaq i zakonshëm, është në fakt një proces tejet kompleks i mirëmbajtjes së trurit./tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
