Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

EFJ kërkon prej Gjykatës Speciale hetimin e vdekjeve të gazetarëve në Kosovë

Prizren Post | 17:47 - 07.06.2018

Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë të hetojë vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve etnikë shqiptarë dhe serbë të lidhura me konfliktin në Kosovë.
Kjo federatë miratoi një rezolutë të përbashkët të propozuar nga shoqatat e gazetarëve serbë dhe kosovarë të enjten duke bërë thirrje për një hetim për vrasjet dhe rrëmbimet e 14 gazetarëve midis vitit 1998 dhe 2005.

Rezoluta, e miratuar në takimin vjetor të EFJ në Lisbonë, thotë se krimet kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias duhet të jenë nën juridiksionin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, e cila do të ngrejë padi për krimet e luftës dhe krimet e pasluftës.

Ajo thotë gjithashtu se prokuroria e Serbisë dhe ajo e Kosovës duhet të bashkëpunojnë në zgjidhjen e këtyre rasteve.

Prishtinës gjithashtu kërkohet të krijojë një komision të përbërë nga gazetarë për të hetuar vrasjet dhe rrëmbimet e profesionistëve të medias nga viti 1998 deri në vitin 2005.

Një komision i ngjashëm mbikëqyrës tashmë ekziston në Serbi me qëllim ushtrimin e presionit ndaj autoriteteve për të zgjidhur vrasjet e gazetarëve, siç është vrasja e redaktorit të një gazete opozitare Slavko Curuvija në vitin 1999.

EFJ bëri thirrje gjithashtu që EULEX të zbatojë vendimet e Komitetit Këshillues të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, i cili bëri thirrje për zgjidhjen e këtyre rasteve dhe kompensimin e familjeve të viktimave.

Rezoluta, e cila u miratua unanimisht, u propozua nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Shoqata e Gazetarëve dhe të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dhe Unioni i Gazetarëve të Serbisë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, së fundmi afirmoi mbështetjen e saj për përpjekjet e rinovuara për të zbuluar të vërtetën pas vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve serbë dhe shqiptarë etnikë të lidhura me luftën e vitit 1999.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë Jan Braathu tha për mediat se organizata e tij ka identifikuar 15 raste gazetarësh të humbur ose të vrarë në Kosovë – rreth gjysma e tyre serbë dhe gjysma e tyre shqiptarë etnikë.


Etiketa:
Arivisti Company