“El Mundo” akuzon kryeministrin spanjoll për ryshfet


E martë, 9 Korrik 2013

Madrid, 9 korrik – Gazeta spanjolle El Mundo i ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë ato që raporton se janë dokumente origjinale të shkruara me dorë të pagesave ilegale dhënë anëtarëve të Partisë Popullore nga një fond.

Anëtarët e partisë, përfshirë edhe kryeministrin Mariano Rajoy, morën pagesa të shumta të këtilla, derisa gazeta raportoi për skandalin duke u thirrur në Luis Barcenas, ish-zyrtar i partisë, i cili ua kishe dhënë dokumentet. Skandali më i madh i korrupsionit në Spanjë ka zemëruar edhe më shumë popullin, i cili tashmë po vuan nga kriza ekonomike. Në anën tjetër, Partia Popullore ka mohuar këtë pretendim.

Gazeta El Mundo ndërkaq nuk ka treguar se si i siguroi dokumentet, por redaktori Pedro Ramirez publikoi të dielën një intervistë me Barcenas, të bërë disa ditë para se ai të dërgohej në paraburgim. Barcenas akuzohet për udhëheqje të këtij fondi të partisë, nëpërmes të cilit merreshin donacione të ndryshme dhe distribuoheshin në para të gatshme për anëtarët e partisë. Barcenas, i cili më parë mohonte dorëshkrimin në dokumente, në intervistë e pranoi se ishte i tij, duke shtuar se dokumentet e njëjta të publikuara në El Pais ishin kopje të tyre. Barcenas akuzohet edhe për pastrim parash, ryshfet dhe shmangie të tatimit.