E mërkurë, 8 Gusht 2018
Madrid – Spanja ka pranuar më shumë se 40 për qind të emigrantëve të paligjshëm, që kanë tentuar të kalojnë Mesdheun për të hyrë në Europë këtë vit.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Emigracionin (IOM) raporton se, numri thuajse është trefishuar krahasuar me shifrat e një viti më parë.
Spanja kryeson tashmë listën e destinacioneve, duke pritur 23.741 emigrantë deri në fund të korrikut, ndërsa shifra e një viti më parë ishte 8.677.
Muajin e kaluar, “IOM” tha në fakt se Spanja ia kishte kaluar edhe Italisë, si destinacion kryesor i emigrantëve të paligjshëm, e shifra më e fundit konfirmon se kjo tendencë ka vijuar.
“Të ardhurit në Itali kanë shënuar rënie me mbi 80 për qind krahasuar me vitin 2017”, njofton “IOM”. Sidoqoftë, numri i personave që kanë hyrë në Greqi është rritur thuajse 50 për qind, me afro 5.000 të ardhur më shumë sesa totali i vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj, shifrat e “IOM”-së flasin për një rënie të ndjeshme të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve që hyjnë në Europë nga deti. Plot 59.271 kanë hyrë në Europë sipas “IOM”-së deri më 5 gusht, ndërkohë që shifra për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 117 mijë.
Komisioni Europian ka akorduar ndërkohë 30 milionë euro ndihmë për Spanjën, për të përballuar rritjen e fluksit të refugjatëve. Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, rritja e numrit të emigrantëve nga Afrika nënsahariane në Spanjë vjen si pasojë e vështirësisë së shtuar për të depërtuar më thellë në Europë.
Etiketa: emigrantet, Spanja