ENEMO lavdëron procesin zgjedhor, përmbushi standardet demokratike


E martë, 3 Dhjetor 2013

Prishtinë, 3 dhjetor – Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Republikën e Kosovës ka përmbushur shumë standarde ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, ndonëse disa çështje të identifikuara që në raundin e parë të zgjedhjeve shkaktojnë brengosje, siç është keqpërdorimi i burimeve shtetërore, blerja e votave, votimi familjar dhe dhuna në disa vendvotime.

Kështu thuhet në raportin e misionit ndërkombëtar vëzhgues ENEMO-s, që ka vëzhguar procesin zgjedhor në Kosovë sivjet.Misioni ndërkombëtar vëzhgues i ENEMO-s e ka vëzhguar procesin zgjedhor në Kosovë që nga fillimi i tetorit të vitit 2013, përfshirë edhe fushatën politike dhe aktivitetet e administratës zgjedhore para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Aktivitetet e njëjta janë vëzhguar edhe në periudhën para 1 dhjetorit, kur është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Sipas raportit, dita e zgjedhjeve ka qenë e qetë dhe i ka pasqyruar përmirësimet e mëtejshme të realizimit të votimit dhe numërimit dhe mbylljes nga KVV-të, pavarësisht disa rasteve të regjistruara të dhunës në vendvotime.

Vëzhguesit e ENEMO-s e kanë vërejtur keqpërdorimin e burimeve/fuqisë edhe në raundin e dytë, në pjesën më të madhe të komunave. Janë raportuar disa raste kur zyrtarë të ndryshëm publikë kanë ushtruar presion dhe kërcënime mbi qytetarët për të votuar për kandidatë të caktuar. Bashkëbiseduesit e ENEMO-s kanë deklaruar se shumica e kërcënimeve i është drejtuar shfrytëzuesve të ndihmës sociale dhe nëpunësve publikë.

Vëzhguesve të ENEMO-s dhe mediave i janë raportuar disa raste të blerjes së pretenduar të votave.

KQZ dhe Sekretariati i KQZ-së e ka kryer punën në mënyrë profesionale në pjesën më të madhe të aktiviteteve zgjedhore.

Në disa komuna është vërejtur fushata negative – në masë më të madhe në Gjakovë dhe Shtërpcë, thekson ENEMO. Njëherazi, mungesa e rregullave adekuate ka krijuar hapësirë për rritje të fushatës negative në internet dhe veçanërisht përmes rrjeteve sociale.

Për dallim nga raundi i parë, vëzhguesit e ENEMO-s nuk kanë vërejtur raste kur votuesit nuk janë lejuar të votojnë me dokumente identifikimi që nuk janë dokumente kosovare.

Në bazë të raporteve të vëzhguesve, votimi familjar ka qenë sfidë për shumë vendvotime.

ENEMO përgëzon Policinë dhe zyrat e prokurorëve të Kosovës, për efikasitetin e tyre në procesimin e të gjitha rasteve të pretenduara të mashtrimeve, keqpërdorimeve dhe dhunës zgjedhore.

Në raundin e parë të zgjedhjeve janë zgjedhur 12 kryetarë komunash me shumicën e nevojshme. Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunalë është shpallur në 25 komuna, mes dy kandidatëve me shumicën e votave. Votimi i raundit të parë zgjedhor është përsëritur në 3 vendvotime në Zveçan.

Prej 12 kryetarëve komunalë të zgjedhur në raundin e parë, 4 e përfaqësojnë PDK-në qeverisëse, 3 LDK-në, 2 janë nga GIS, ndërsa 1 kryetar komune është zgjedhur nga AAK-LDD dhe Kosova Turk Adalet Partisi. Rufki Suma ka qenë kryetari i vetëm komunal i zgjedhur si kandidat i pavarur. Prej 9 kandidateve që kanë garuar për kryetar komune në raundin e pare, vetëm njëra është kualifikuar për raundin e dytë (kandidatja e AKR-së në Gjakovë).

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, LDK ka pasur 14 kandidatë për kryetarë komunalë, PDK 11, AAK-LDD 8, GIS 7, SLS 3, AKR 2, LVV 1, IQM 1, SKS 1, SNP 1 dhe GI SDP 1. Gjendja në Zveçan edhe më tej mbetet pezull, meqë raundi i parë nuk është përfunduar për shkak të votimit të përsëritur në tre vendvotime, që është mbajtur paralelisht me raundin e dytë në të gjitha komunat tjera.

Votuesit të cilët banojnë jashtë Kosovës kanë pasur të drejtë të votës përmes postës për dy raundet zgjedhore, me kusht që t’i përmbushin të gjitha kërkesat ligjore.

Pavarësisht të gjitha mangësive të dispozitave ligjore të Kosovës për administrimin zgjedhor, që ceken në raportin paraprak të ENEMO-s për raundin e parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfshirë edhe Sekretariatin e KQZ-së i ka organizuar të gjitha aktivitetet administrative zgjedhore për raundin e dytë në mënyrë efikase dhe profesionale..

Sipas raportit të ENEMO-s gjatë periudhës zgjedhore, PZAP ka pranuar gjithsej 774 ankesa për dy raundet, pa i marrë parasysh parashtresat për votimin e votuesve jashtë Kosovës. Prej ankesave të pranuara, 274 kanë të bëjnë me fushatën e raundit të parë, që ceken në Raportin e parë paraprak të ENEMO-së. Përveç kësaj, janë dorëzuar edhe 173 ankesa tjera për ditën e votimit në raundin e pare (11 janë aprovuar, 154 janë refuzuar dhe tjerat janë hedhur poshtë, tërhequr ose janë shpallur të pavlefshme). PZAP-it i janë dorëzuar edhe 261 ankesa për procesin e numërimit, si dhe 61 ankesa për rezultatet paraprake të KQZ-së (kryesisht K-vote). Pjesa më e madhe e ankesave janë refuzuar për shkak të mungesës së dëshmive ose për arsye se kanë qenë të pavlefshme, të vonuara dhe parregullta. Disa prej tyre janë tërhequr. PZAP ka pranuar vetëm dy ankesa të lidhura me procesin e numërimit, njëra prej të cilave ka rezultuar me përsëritje të votimit në Mitrovicën e Veriut. Njëherazi, PZAP ia ka dorëzuar policisë 36 ankesa, meqë mund të përfshijnë sanksione të mundshme penale.

Gjatë Zgjedhjeve lokale 2013, MVZ ENEMO nuk ka realizuar vëzhgim të plotë të mediave. Por thekson se shumica e mediave kosovare e kanë mbuluar fushatën zgjedhore për raundin e dytë përmes edicioneve informative, debateve televizive, si dhe reklamave politike. Krahasuar me komunat tjera, mediat i kanë përkushtuar vëmendje të veçantë fushatës në Prishtinë, ndonëse edhe tjerat janë mbuluar rregullisht. Deri tani, KPM-së i është parashtruar 1 ankesë zyrtare, lidhur me shkeljen e heshtjes parazgjedhore të 1 mediumi gjatë raundit të dytë.

Në shumicën e vendvotimeve të vizituara nga vëzhguesit e ENEMO-së, procesi zgjedhor në ditën e zgjedhjeve është realizuar në mënyrë profesionale dhe të qetë. Megjithatë, janë raportuar disa raste të dhunës, ku rasti më serioz ka ndodhur në Pasjanë (Komuna Partesh, ku një grup prej 20 personave është futur në këtë vendvotim dhe ka filluar t’i shkatërrojë materialet zgjedhore. ENEMO lavdëron profesionalizmin dhe përkushtimin e anëtarëve të KVV-së të cilët e kanë rrezikuar integritetin e tyre fizik, për t’i mbrojtur materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit.

Megjithatë, disa shkelje procedurale të vërejtura në raundin e parë zgjedhor janë vërejtur sërish nga vëzhguesit afatshkurtër, të cilët i kanë vizituar vendvotimet në raundin e dytë. Sipas ENEMO-s çështja kryesore edhe më tej mbetet votimi familjar, që ka ndodhur në 17% të vendvotimeve të vizituara. Në një vendvotim ka pasur 7 raste të votimit familjar brenda 20 minutave, në periudhën kur kanë qenë të pranishëm vëzhguesit tonë. Në 5% të vendvotimeve të vizituara është shënuar votimi me ndërmjetësim. Këto dy lloje të shkeljeve janë vërejtur në vëllim të njëjtë si edhe gjatë raundit të parë.

Një shkelje tjetër e Ligjit që është vërejtur nga ekipet e vëzhguesve afatshkurtër të ENEMO-s ka qenë vendosja e materialeve të fushatës së disa subjekteve politike, në afërsi më të vogël se 100 metra nga vendvotimet (VV).

Ka pasur disa raste kur votuesit janë lejuar të votojnë pa dokument identifikimi, ku arsyeja kryesore ka qenë që anëtari i KVV-së e ka njohur votuesin dhe andaj nuk është nevojitur të tregohet asnjë dokument identifikimi për të votuar. Në një vendvotim në Shtërpcë, në periudhën kur kanë qenë të pranishëm vëzhguesit tanë, është lejuar votimi i 16 votuesve pa dokument identifikimi.

Një dukuri e përbashkët është që pothuajse në të gjitha vendvotimet, numri i fletëvotimeve të pranuara nga KVV ka qenë më i ulët se numri i votuesve të regjistruar në Listën përfundimtare të votuesve për vendvotimin përkatës.

59% e vendvotimeve të vëzhguara nuk kanë qenë të kapshme për personat me paaftësi, që është një rritje prej 6% krahasuar me raundin e parë zgjedhor, ku 53% e vendvotimeve të vizituara nuk kanë qenë adekuate për personat me paaftësi.

Për raundin e dytë të zgjedhjeve, KQZ ka akredituar 2.284 vëzhgues shtesë, përveç 30.173 vëzhguesve tashmë të akredituar për raundin e parë, ku janë përfshirë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, ambasadave të huaja, subjekteve politike, koalicioneve dhe kandidatëve të pavarur, iniciativave qytetare dhe mediave.

Për raundin e dytë, Misioni i Bashkimit Evropian ka dërguar 71 vëzhgues afatshkurtër në ditën e votimit në të gjitha 25 komunat.

Rrjeti evropian i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve (ENEMO) është grup i 22 organizatave udhëheqëse qytetare prej 17 shteteve të Evropës lindore dhe qendrore, si dhe Azisë qendrore. Organizatat-anëtare të ENEMO-së kanë vëzhguar mbi 140 zgjedhje nacionale dhe kanë trajnuar mbi 200.000 vëzhgues./koha/

Etiketa: , ,