Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Enver Hasani: Jam i pafajshëm

Prizren Post | 11:01 - 09.03.2016

Prishtinë – Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është deklaruar sot i pafajshëm për mashtrim në detyrë në bashkëkryerje, për çka e akuzon Prokuroria.

Hasani për këtë vepër penale akuzohet në kohën sa e drejtonte Universitetin e Prishtinës për një kontratë që kishte të bënte me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze, raporton KTV.

“Tërësisht i pafajshëm”, është përgjigjur Enver Hasani në pyetjen e Gjykatës se a ndjehet fajtor për veprën penale. Kontrata në vlerë prej 500 mijë eurosh i ishte dhënë Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë dhe sipas Prokurorisë kontrata ishte ndryshuar pastaj.

“Hetimi ka zbuluar dy kontrata me datën dhe numrin e njëjtë, por në të cilat dallojnë çmimet. Kontrata e parë kishte çmimin 12.65 euro për 1000 fjalë, ndërsa në kontratën e dytë kjo ishte ndryshuar në 12.65 euro për karaktere ose shkronja”, ka thënë në fjalën hyrëse prokurorja Drita Hajdari. Ajo i ka propozuar Gjykatës që pas shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave të shpall fajtorë të akuzuarit dhe t’i dënojë në bazë të ligjit.

Bashkë me ish-rektorin Hasanin akuzohet edhe Haki Veliu, shef i prokurimit në atë kohë në UP, dhe Albert Rakipi, përfaqësuese i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, të cilët gjithashtu janë deklaruar të pafajshëm.

Kjo është aktakuza e dytë ndaj Enver Hasanit. Me tjetrën ai akuzohet për falsifikim sa ishte kryetar i Kushtetueses. Lënda ende është në Apel meqenëse Prokuroria është ankuar për vendimin e Gjykatës se Hasani gëzon imunitet funksional për këtë vepër penale.


Arivisti Company