Erdoğan dhe Putin zhvilluan nje bisedë të rëndësishme telefonike


E premte, 25 Nëntor 2016

putin-erdogan

Ankara – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency.

Burimet e presidencës bëjnë të ditur se në bisedën telefonike mes Erdoğan dhe Putin, krahas marrëdhënieve dypalëshe, është diskutuar edhe për çështjet rajonale me në krye Sirinë.

Njoftohet se Erdoğan dhe Putin kanë shkëmbyer mendime dhe informacione në lidhje me sulmin ndaj ushtarëve turq në operacionin që po zhvillohet në rajonin El Bab në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit” dhe se kanë rënë dakord për përshpejtimin e përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes së krizës humanitare në Halep.

Erdoğan ka theksuar se operacioni “Mburoja e Eufratit” është tregues i vendosmërisë së Turqisë në luftën kundër terrorizmit dhe se mbështesin integritetin territorial të Sirisë.

Gjatë bisedës, dy liderët kanë konfirmuar vendosmërinë e tyre për ta mbështetur procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë.

Ata kanë potencuar rëndësinë e forcimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve në të gjitha fushat. Në këtë drejtim, po ashtu është folur edhe për vizitën që kryeministri turk Binali Yıldırım do ta zhvillojë në Moskë më 6 dhjetor dhe mbledhjen e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit Rusi-Turqi.