“Erdoganizmi” si fabrikim i armiqësisë


E mërkurë, 20 Qershor 2018

Autor: Zeqirija IBRAHIMI

“Qeveria e Turqisë dhe z. Erdogan ka bërë për Kosovën aq,
sa këta që flasin nuk do të mund të bënin sikur të kishin edhe shtatë jetë” (Edi Rama)

(Shkas: Alon Ben-Meir & Arbana Xharra, “Kali i Trojës së Erdoganit në Maqedoni”, https://alonben-meir.com/writing/kali-i-trojes-se-erdoganit-ne-maqedoni/?lang=sq – 14.06.2018)

Është bërë një kohë tashmë që disa gazetarë marrin e i japin zor dhe asgjë tjetër nuk prodhojnë, pos që rrinë duke shpikur armiqësi të reja dhe armiq të rinj të shqiptarëve, thuajse ne shqiptarët i kemi pak ata armiq që i kemi realisht. Dhe, “analiza” (në i thënçin analizë!) i ka vetëm dy-tri fjali dhe një kosh vrer e mllef. Urrejtja e ka emrin “Turqia dhe Erdogani”, ndërsa për ta justifikuar “analizën” e tyre, nuk prajnë pa më përmendur edhe mua si fajtor kujdestar që ua turbullon ujin. Ndonëse niveli i shkrimeve të tilla mund të mos meritojë vëmendje serioze në veçanti, ngase janë shkrime të tipit “u dridh mali dhe polli një mi” (bëjnë zhurmë dhe prodhojnë një koment të thjeshtë), por opinioni shqiptar meriton t’i njohë këta njerëz, që mbulohen me vellon e shqiptarisë, ndërsa janë në agjendë puro-antishqiptare dhe janë vetëm mercenarë të armiqve të shqiptarëve.

“Erdoganizmi” si gogol

Termin “erdoganizëm” e kam vendosur gjithkund në thonjëza, sepse ky nocion nuk paraqet asgjë në shkencat politike dhe në komunikimin publik, pos që është tendencioz dhe nuk ka asnjë përmbajtje reale ideologjike-politike. Si të tillë do ta përdorim edhe në tekst, pra si metaforë për urrejtjen dhe insinuatat e fabrikuesve të kësaj armiqësie të panevojshme.
Shkojmë tutje! Gogoli është një figurë mitologjike e traditës gojore që nënkupton një qenie të tmerrshme, e cila rëndom përdoret që të tremben fëmijët kur nuk i merr gjumi. Në kuptim publicistik e politik gogoli është një qenie e tmerrshme dhe e rrezikshme me të cilën autori ngre panik e frikë, që t’i frikësojë lexuesit se “para derës e keni një armik që mund t’ju gëlltisë”. Një gogol i tillë për disa opinionistë, veçanërisht në Kosovë, sot është Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Emri i tij përdoret prej tyre për të sajuar frikë se shqiptarët janë të rrezikuar prej tij, se ai ka plane ekspansioniste ndaj nesh, se ai e dëshiron asimilimin tonë, se e synon islamizimin e kombit tonë, se e dëshiron zmbrapsjen tonë nga agjenda europiane, se e dëshiron tjetërsimin tonë etj.

Natyrisht, për njerëzit që mendojnë me tru të kthjellët këto janë përralla me të cilat as fëmijët nuk mashtrohen, por ata vazhdojnë t’i rrëfejnë si pa të keq. Si e para, nuk ka asnjë argument se Turqia dhe Presidenti Erdogan ka pretendime territoriale ndaj tokave shqiptare. Madje, historia e vonshme e këtyre marrëdhënieve ka dëshmuar se, kur është dashur të mbrohen këto toka, ka qenë pikërisht Turqia ajo që ka dalë në anën e shqiptarëve. Edhe pretendimi se ai e dëshiron asimilimin e shqiptarëve nuk qëndron, sepse shqiptarët i bënë pesë shekuj me turqit dhe nuk asimiluan, pra edhe kur nuk kishin libra e shkolla, e le më tash kur identiteti etnik shqiptar është kaq fortë i kristalizuar. As pretendimet për islamizim e për agjenda politike nuk zënë vend, e aq më pak ato që e akuzojnë TIKA-n, që ka investuar në projekte zhvillimore, arsimore, shkencore, kulturore e që paska meremetuar disa xhami, që në fakt është dashur t’i bëjnë vetë shqiptarët e të mos presin sadaka. As shpifja se dëshiron të na ndajë nga Europa nuk qëndron, sepse edhe Turqia është vend anëtar i NATO-s, ka vite që pret për integrim në BE dhe nuk ka hequr dorë nga kjo agjendë. Në fakt, çdo qëndrim i Turqisë kundrejt shqiptarëve është publik dhe transparent dhe aty nuk ka asgjë shqetësuese. Prandaj, pretendimi se Erdogani është “i rrezikshmi” dhe “armiku i shqiptarëve” është pretendim i rremë dhe dashakeq, është një gogol, që megjithatë meriton të analizohet se çka fshihet pas tij.

“Erdoganizmi” si antishqiptari

Kur shqyrtohen marrëdhëniet e shqiptarëve me Turqinë, ekziston një paradoks. Krerët e shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe politikanët e Maqedonisë, flasin me admirim për marrëdhëniet e shqiptarëve më Turqinë dhe me Presidentin Erdogan, sepse e vlerësojnë lart dhe saktë ndihmën që e ka dhënë viteve të fundit ky vend dhe drejtuesi i parë i saj për shqiptarët në Ballkan, ndërsa këto gazetaret gjithë ditën e lume flasin se “ne jemi të rrezikuar nga ky shtet”. Pastaj, populli shqiptar gjithandej, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ka admirim për miqësinë që ka shfaqur Presidenti Erdogan dhe shteti turk për shqiptarët, andaj edhe dalin e presin me shumë dashamirësi kur vjen këndej, ndërsa këto gazetaret vazhdojnë të rrahin ujë në havan, duke thënë “ikni, se vjen Erdogani!”. Pra, nëse shtetet shqiptare e kanë shpallë si interes strategjik bashkëpunimin me Turqinë dhe Presidentin Erdogan, nëse populli shqiptar e respekton atë, për çfarë shërben nxitja e urrejtjes ndaj tij? Kujt i konvenon që shqiptarët dhe shtetet shqiptare t’i armiqësojë me Turqinë? Pse u duhet shqiptarëve një armik si Turqia? Cilat janë ato forca që nuk e duan një miqësi të tillë? Derisa shqiptarët i kanë armiq të konfirmuar Serbinë e Rusinë, që e pengojnë dhe luftojnë Kosovën, pse i duhet dikujt të na prodhojë edhe një armik tjetër? Apo, ta saktësojmë pyetjen, a mos ndoshta ky është interesi i Beogradit: që armiqësia me Serbinë të zëvendësohet me armiqësinë ndaj Turqisë dhe kështu shteti i Millosheviqit dje e i Vuçiqit sot të paraqitet si “shpëtimtari i shqiptarëve” në kohën e Pashiqit, kur në emër të “detyrës për civilizimin e shqiptarëve” para botës arsyetohej dhuna, dëbimet, masakrat dhe gllabërimi i tokave tona? Ia vlen për të menduar, por e vërteta është se në media kemi lexuar herë pas here se në Kosovë hidhen para të majme nga Rusia dhe Serbia pikërisht për të bërë opinion prorus e proserb. Dhe, është naivitet të besohet në koincidencë. Sepse, t’ia shtosh edhe një armik aq të madh Kosovës në këtë kohë, agjendë më antishqiptare se kjo nuk ka si bëhet ndryshe. Vetëm dikush që nuk ua dëshiron të mirën shqiptarëve dhe shteteve shqiptare dëshiron të na prodhojë më shumë armiq, që ashtu ta pengojë zhvillimin dhe përparimin e kombit tonë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet. Kjo i ngjan kohës kur Kosova po zbrazej prej shqiptarëve, sepse serbët i dëbonin me dhunë, ndërsa Enver Hoxha i quante serbët “vëllezër”, ndërsa armiqtë ishin perëndimorët. Kështu në faqet e librit me kujtime “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh” autori Sabri Maxhuni-Novosella tregon se një nga gjërat që i kishte bërë më shumë përshtypje nga bisedat që kishte pasur me funksionarë të lartë të Partisë së Punës dhe me njerëz të ndryshëm të asaj kohe në Shqipëri, ishte fakti se, ai, nuk duhej të fliste keq për serbët. “Ata i kemi vëllezër të armës dhe të luftës. Me serbin e luftuam bashkë gjermanin. Ne armik kemi Titon dhe bashkëmendimtarët e tij që i tradhëtuan Stalinin dhe komunizmin!”, i thoshin enveristët.

“Erdoganizmi” si islamofobi

“Erdoganizmi” është sinonim edhe për islamofobinë. Të gjithë ata që janë të krishterë ekstremistë ose ateistë të krisur, siç është edhe e djathta në Europë, kanë urrejtje për Turqinë dhe Presidentin e saj, sepse në suksesin e saj e shohin shtrirjen e Islamit, ndërsa – sipas tyre – kjo është anticivilizuese, terroriste etj. Përveç injorancës së dëshmuar, sepse Islami është religjioni që për 800 vjet ishte në Spanjë (madje para se të arrijë Krishterimi në Skandinavi), dhe prej atje ndihmoi për Rilindjen europiane, ata dëshmojnë edhe fobie, që kalon në urrejtje. Është evidente se ka plot ekstremistë myslimanë, siç ka të tillë edhe në religjionet e tjera, por të ndërtohen postulate absolute në bazë të frymës së tillë, është edhe injorancë edhe ligësi.

Edhe në mjedisin shqiptar nënteksti i urrejtjes së prodhuar ndaj Turqisë dhe Presidentit Erdogan është “prej atje vjen Islami dhe ajo është fe e rrezikshme për kombin”. Harrojnë të gjorët se shqiptarët janë më shumë se 5 shekuj myslimanë dhe kjo nuk ka qenë kurrfarë rreziku, por bile ka qenë përparësi. Të kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, që udhëhiqej nga një klerik mysliman ose Kongresin e Manastirit, ku hoxha Rexhep Voka i Tetovës i duartrokiste dhe e përqafonte me admirim At Gjergj Fishtën. Ose, tjetër: tashmë pranohet edhe shkencërisht se shqiptarëve që mbetën në Jugosllavi vetëm Islami ua mbrojti kombin, sepse kjo i bënte të dallueshëm me sllavët. Në të vërtetë, shqiptarët, që janë me shumicë pjesëtarë të Islamit, gjatë gjithë historisë kombëtare kanë dëshmuar se kanë një fe që i bën të dashur dhe tolerantë për bashkëkombësit e tyre të feve të tjera. Janë dhjetëra shembuj të tillë, ndërsa ia vlen të kujtohet fjalimi historik i Hafiz Ali Krajës në varrimin e At Gjergj Fishtës si shembull se jo që nuk ka pasur animozitet, por ka pasur bashkëpunim e respekt të ndërsjellë. Kujtojmë po ashtu edhe një rast tjetër interesant, që edhe bota e ka vlerësuar. Në mbledhjen e Lidhjes së Kombeve, më 17.12.1920, një delegat i Indisë, do të deklaronte: “Kur në botë zhvilloheshin ende luftëra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët e ortodoksët, jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqësues një të krishterë dhe një prift.” Edhe në Shkup shqiptarët myslimanë kanë pasur respekt për katolikët dhe asnjëherë nuk është regjistruar asnjë problem. Mjafton të kujtojmë se një katolik si Gjon Sereçi ishte krah për krah me medresantin Azem Morana në NDSH (Organizatën Nacional-Demokrate Shqiptare) dhe të merret vesh se toleranca ndërfetare ka qenë diçka e natyrshme në Shkupin e diversiteteve. Dhe, këtu duhet ta themi botërisht se për këtë tolerancë e respekt meritorë kanë qenë myslimanët shqiptarë, kjo jo për tifozeri, por për shkak se ata ishin shumica. Andaj, të ngrihesh sot ta baltosësh shumicën kombit vetëm se i ke gjetur disa injorantë ekstremistë që bëjnë zhurmë në Facebook, por që nuk janë as 1%-shi i shqiptarëve myslimanë, kjo është tendencioze. Të ndezësh urrejtje ndërfetare te shqiptarët, kjo është t’i hidhet zjarrit benzinë. Përveç që është islamofobi, kjo është njëherazi edhe antishqiptari. Sepse, t’ua zhvlerësosh shqiptarëve myslimanë fenë, vetëm për shkak se je injorant në kuptimin e doktrinës fetare ose je ateist, ekstremist kristian a mercenar, ky është provokim antikombëtar. Shqiptarët kanë investuar vite e punë që ta ruajnë tolerancën ndërfetare, andaj çdo përpjekje për ta rrënuar këtë është hiç më pak se goditje e kombit në palcë. Për këtë kryeministri Rama, para ca ditësh, deklaroi: “Shprehjet e islamofobisë apo turkofobisë janë shprehje të një padije dhe të një arrogance që buron në radhë të parë nga padija. Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë”.

Kjo përçarje në të kaluarën është luftuar edhe nga priftërinjtë edhe nga hoxhallarët dhe prandaj gjithnjë kam insistuar që të krishterët dhe myslimanët shqiptarë të bashkëpunojnë, sepse janë të kombit të njëjtë dhe, së dyti, janë në fenë e përbashkët abrahamike (në Kuran quhen “ithtarë të Librit”). Dhe, siç e kam thënë në një promovim të librave të Dom Viktor Sopit, është ofendim për shqiptarët besimtarë, të krishterë e myslimanë, që ateistët e liberalët t’ua mësojnë tolerancën derisa ata janë të edukuar për dashuri të ndërsjellë kombëtare dhe ndërfetare.

“Erdoganizmi” si mercenarizëm

Dhe, kur “erdoganizmi” dekonstruktohet kështu lakuriq, se beteja kundër Turqisë dhe Presidentit të saj është në thelb betejë që fsheh brenda një agjendë antishqiptare, detyrimisht vijmë te pyetjet se cilat janë ato forca që e dëshirojnë armiqësimin e shqiptarëve me një aleat aq të rëndësishëm dhe cilat janë ato forca që e dëshirojnë vëllavrasjen shqiptare? Mund të duket konspirative, por kur çështja shtrohet kështu, përgjigjja e parë e logjikshme që na vjen në mend është “armiqtë e shqiptarëve: Serbia e Rusia”. Vetëm armiqve të shqiptarëve u leverdis përçarja e brendshme e kombit deri në vëllavrasje dhe vetëm armiqtë e shqiptarëve e duan që shqiptarëve t’u shtohen armiqtë e jashtëm. Përveç forcave serbo-ruse, të dytët në radhë, që mund ta sponsorizojnë këtë gjuhë, janë zgjatimet e organizatës FETO, të prirë nga kleriku Fethullah Gylen, që shteti turk e ka shpallur për terroriste, si dhe disa forca të a.q. liberale që, në emër të lirisë së shprehjes i fusin shqiptarët në “filma” të mbrojtjes së demokracisë, të drejtave të njeriut, lirisë shprehjes etj. Sikur shqiptarët i kanë përfunduar punët e veta dhe tash u ka mbetur t’i drejtojnë punët e dynjasë. Aty ku Serbia na lufton përditë, aty ku lulëzon krimi, korrupsioni, droga e nëntoka, mrekullisht paskan lindur njerëz që do ta rregullojnë diktaturën e djathtë të Orbanit në Hungari, të drejtat e gazetarëve në Turqi dhe të djathtën ekstreme në Austri. Cinizëm pa karar! Kjo i ngjason kohës kur Enver Hoxha gati i zhbëri shqiptarët, ndërsa “kujdesej” ta shpëtojë komunizmin në BRSS, në Kinë, në Venezuelë e në Vietnam.

Shikuar kështu, del se gjithë ky opinion antiturk, që prodhohet në mediat shqiptare, veçanërisht në Kosovë, është një mercenarizëm që paguhet shtrenjtë nga Serbia (ose Rusia), nga FETO ose nga disa ekstremistë liberalë perëndimorë, që besojnë ende në babadimër, ndërsa nuk e shohin se çka po ndodhë në oborrin e tyre në Perëndim. Madje, edhe atje – në SHBA – gjen disa profesorë që vijnë e shesin kopalla të këtilla në Shkup, duke i tutur shqiptarët nga Turqia, bile edhe nga Lëvizja BESA, ndërsa kur pyeten se nga i kanë informacionet (siç i ndodhi njërit prej tyre në Shkup), përgjigjja është “Nga mediat”. Logjikë tipike e shpifësve: shpif sa më shumë, se diçka mbetet!

Këtu mbase duhet të pyetemi edhe pse disa gazetarë emrin më shpesh të shkruar në tastierën e tyre e kanë “Erdogan”, ndërsa shqiptarët kanë dhjetëra probleme, për të cilat asnjëherë nuk flasin gjë? Çudi që ata asnjëherë nuk shkruan kritikë për emrat Vuçiq, Daçiq, Sheshel, Zajednicë, Demarkacion ose Putin! Atyre ose nuk u bëjnë përshtypje fare ose e kanë detyrë ashtu të shkruajnë, sepse Serbia tash – në fazën finale të bisedimeve për Kosovën – pasi e ka fituar simpatinë e Rusisë, të Kinës, madje edhe të BE-së, veçmas të Gjermanisë, duke e shfrytëzuar edhe këtë animozitet fals të këtyre “analistëve”, dëshiron t’i mundë shqiptarët edhe në miqësinë me Turqinë, që t’i lërë “me gisht në gojë” dhe t’u krijojë sa më shumë armiq. Prandaj për mua fushata anti-Turqi nuk më duket krejt e rastësishme. E përsëris: nuk duhet besuar në koincidencë. Kjo i bie se ata shkruajnë për honorar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet se çka e rrokë zori një gazetare të Kosovës që aq shumë të brengoset për të drejtat e njeriut në Turqi.

Shqiptarët dhe Turqia si aleatë

Sido që të jetë, lajmi i mirë është se drejtuesit e shteteve shqiptare nuk bien nën ndikimin e këtyre gjepurave dhe, megjithatë, i shohin interesat kombëtare e shtetërore. Në këtë drejtim ata e shohin Turqinë, natyrisht me SHBA-të, si një aleate në rrugën euroatlantike. Edhe shqiptarët edhe Turqia janë deklaruar për agjendë pro-europiane dhe perspektiva europiane është vija që i lidh këto dy kombe. E dyta, por edhe më e rëndësishmja, është se Turqia është fuqi e rëndësishme në NATO. Për një komb që nuk ka thuaja fare ushtri, ndërsa ka fqinj që kanë ushtri e armë pa hesap, një shtet mik si Turqia – që edhe deri tash është dëshmuar si aleat ushtarak i shqiptarëve – u duhet si qiriri në errësirën e natës. Duke u gjendur pranë një Serbie që armatoset pa hesap dhe si ia ka ëndja, vetëm anëtarësimi i shqiptarëve në NATO mund t’i bëjë ballë asaj. Ndërkaq NATO në rajonin tonë pa dyshim nënkupton SHBA-të, Kroacinë dhe Turqinë. Pra, bashkëpunimi shqiptar me Turqinë para së gjithash dhe mbi të gjitha duhet të jetë euro-atlantik. Pastaj vjen bashkëpunimi zhvillimor ekonomik, që i duhet aq shumë rajonit tonë, ndërsa tek pastaj vijnë mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës, artit, sportit, pse jo edhe mendimit islam turk, që përkon mjaft mirë me Islamin e traditës shqiptare etj.
Të mençurit kërkojnë miq dhe aleatë, ndërsa mercenarët e bëjnë vazifen e vet. Unë jam i bindur se ne si komb kemi shumë nevojë për aleatë dhe për sa më pak armiq. Ndërsa, ata që na i zënë këmbët në këtë rrugë janë pikërisht mercenarët.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit