E hënë, 15 Gusht 2016
Ankara – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka theksuar se Europa nuk e ka mbështetur mjaftueshëm Turqinë pas tentativës së puçit, madje e ka nënvlerësuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetën gjermane Bild, Çavuşoğlu, ka folur rreth marrëdhënieve Turqi-Bashkim Europian. Ai pasi ka rikujtuar se Turqia për të përmbushur të gjitha kushtet në rrugën e anëtarësimit në BE ka bërë përpjekje pothuajse më shumë se asnjë vend tjetër, tha se Turqia po përballet me kërcënimet, fyerjet dhe me pengesa.
“Pyes veten time: Çfarë krimi kemi kryer ne? Përse ka një armiqësi anti-Turqi? Shikoni marrëveshjen në lidhje me refugjatët. Kemi marrëveshje që theksojnë hapur se në muajin tetor do të ketë liberalizim të vizave për të gjithë qytetarët turq. Kur tërheq vëmendjen tek këto shumë njerëz nervozohen menjëherë. Nuk mund të flitet për një situatë ku nga ana e Turqisë zbatohet çdo gjë në interes të BE-së, por kundrejt kësaj Turqia nuk merr asnjë gjë.”
Ndërsa në lidhje me pyetjen se qindra mijëra refugjatë do të mbërrijnë në Europë në rast të mos përmbushjes së liberalizimit të vizave, ministri Çavuşoğlu duke vënë në dukje se vazhdojnë bisedimet me BE-në, është përgjigjur se “Kjo është e qartë: Ose zbatojmë njëkohësisht marrëveshjet ose i lëmë në një anë.”
“Zhgënjehem kur ne kritikohemi kur bëjmë kërkesën për mbështetjen me 3 miliardë euro të përcaktuar nga BE-ja. Këto para nuk janë për ne, por për refugjatët”, u shpreh Çavuşoğlu, duke shtuar se Turqia në këtë çështje ka mbajtur peshën më të rëndë, ku deri më sot ka shpenzuar 25 miliardë dollarë.
Ndërsa në lidhje me pyetjen për diskutimet e rivendosjes së dënimit me vdekje Çavuşoğlu është përgjigjur: “Europa ka një qëndrim sikur ne e kemi rivendosur dënimin me vdekje. Në lidhje me këtë çështje ka kërkesa dhe këtë duhet ta kuptojmë. Turqia ka përjetuar tenatiivën e puçit më të përgjakur në historinë e saj. Njerëzit u shtypën poshtë tankeve, u qëlluan me zjarrin e hapur nga avionët, parlamenti u qëllua. Nuk mund të injorojmë këtë kërkesë dhe duhet ta diskutojmë në parlament. Nuk dëshirojmë që të japin një përgjigje vendimi ndaj një pyetjeje të tillë të rëndësishme. Përkundrazi dëshirojmë ta diskutojmë me të gjitha palët dhe qetësisht.”
Më tej kreu i diplomacisë turke ka vënë në dukje se ai vetë personalisht në princip është kundër dënimit me vdekje dhe ka shtuar se ky dënim duhet të hiqet edhe në SHBA edhe në Japoni.
“Populli turk ka përjetuar një traumë. Kjo është ajo që Europa nuk kupton. Ata në vend që të mbështesin Turqinë na nënvlerësojnë,” u shpreh më tej Çavuşoğlu.
Duke kritikuar thashethemet se Turqia do të dalë nga NATO, Çavuşoğlu u shpreh se këto informacione janë përhapur nga qarqe anti-Turqi. “Ne jemi një prej mbështetësve më të mëdhenj të NATO-s. Por është e qartë se duhet të bëjmë bashkëpunim edhe me partnerët tanë të tjerë në çështjen e shit-blerjes së sistemeve të armëve. Sepse disa aleatë të NATO-s refuzojnë të na shesin sisteme të mbrojtjes ajrore apo të shkëmbejnë informacione. Ne po veprojmë në kuadër të sigurisë tonë kombëtare”, ka theksuar kryediplomati i Turqisë.