E enjte, 4 Gusht 2016
Strasburg – Gjithnjë e më shumë po rriten reagimet e qytetarëve turq që jetojnë në vendet e jashtme ndaj Organizatës Terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).
Biznesmeni Suleyman Asan, pronari i ndërtesës ku i zhvillon mësimet Kolegji Selman Asan në Strasburg i cili është njëri nga dy kolegjet në Francë që thuhet të jenë nën kontroll të FETO-s, ka paralajmëruar organizatën që të braktisin shkollën.
Ai tha se ndërtesa e Kolegjit Selman Asan i cili ka filluar me procesin arsimor në vitin 2012 në lagjen Lingolsheim të Strazburgut është blerë me qëllim për të mbajtur të gjallë emrin e vëllait të tij i cili ka ndërruar jetë në vitin 2011 dhe se ia ka dorëzuar atë shoqatës me emrin e njëjtë.
“Në vitin 2011 morëm këtë vendim së bashku me vëllain tim të ndjerë Selmanin. Ne familjarisht ofrojmë ndihma dhe donacione për shumë shoqata jo vetëm në këtë rajon, por në shumë rajone të botës”, tha Asan.
Ai theksoi se para disa viteve kishin filluar të ndihmonin këtë strukturë dhe se pas dy-tri viteve vërejtën se kjo strukturë ka lajthitur në rrugë të tjera. “Ngjarjet e fundit ishin si një dush i ftohtë për ne. Që nga sot ne duam që një shkollë e këtillë të mos gjendet këtu dhe ky vend të mbyllet”, tha Asan.
Sipas tij, qytetarët tani më nuk dëshirojnë që kjo shkollë të ofrojë shërbime këtu. “Edhe ne nuk duam që një e organizatë e tillë të ketë filiale këtu. Do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha biznesmeni Asan.
Ai rrëfeu se projektit i kishin ofruar ndihmë me gëzimin se do të hapej shkollë turke në Strasburg, duke thënë se dëshmia më e qartë se kjo strukturë ka pasur synime të tjera është tentativa për grusht shteti më 15 korrik.
“Na lini të qetë me shtetin dhe popullin tonë. Braktisni shkollën tonë. Ishte pikërisht koha kur ishte përkeqësuar sëmundja e vëllait tim. Ishte në komë për 17 ditë dhe atë kohë e blemë kolegjin. Ata na bënë ofertën. Ne, me qëllim që ta mbajmë të gjallë kujtimin e vëllait tonë, pranuam dhe e blemë ndërtesën e kolegjit për t’ia dorëzuar shoqatës. Vëllai im nuk mundi ta shohë se kolegji u hap me emrin e tij. Fatmirësisht, pronën nuk ua dorëzuam të tërën, duke thënë se nuk dihet çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Ua kemi dhënë me qira për nëntë vite. Nëse na respektojnë sado pak, le ta braktisin ndërtesën. Emrin tonë e kemi tërhequr nga panoja e kolegjit. Nuk duam të jenë më këtu pas asaj që i bënë shtetit dhe popullit tonë. Le të na lënë të qetë”, tha Asan.
– “Ndërtesën duam t’ia transferojmë DITIB-it –
Asan u shpreh se janë takuar me drejtuesit e Unionit Islam Turk të Çështjeve Fetare (DITIB) në Strasburg dhe se u kanë ofruar t’ua transferojnë ndërtesën. “U thashë zyrtarëve të DITIB-it: ‘Urdhëroni, ejani. Nëse shteti ynë ka nevojë për një vend të këtillë, mund t’ua dorëzojmë.’ Ndërkaq, zyrtarët theksuan se do ta vlerësojnë çështjen dhe do të na japin përgjigje”, tha Asan.
Zyrtarët e DITIB-it në Strasburg, nga ana tjetër, bënë të ditur se po e analizojnë ofertën dhe se kanë filluar me punimet për hapat e nevojshëm.
– Familjet po i largojnë fëmijët nga kolegjet –
Edhe në Francë po vërhet shkëputje nga të gjitha institucionet nën kontrollin e FETO-s pas tentativës për grusht shteti.
Shumë familje të cilat zhvilluan biseda me gazetarin e AA-së, deklaruan se i kanë fshirë regjistrimet e fëmijëve të tyre nga kolegjet dhe qendrat arsimore të organizatës.
Hatixhe Çeri tha se pas zhvillimeve të vitit të kaluar i kanë larguar fëmijët e tyre nga Kolegji Selman Asan. “Pasi u zbardhën të vërtetat, as bashkëshorti im më nuk merr pjesë në mbledhjet e kësaj organizate. Erdhën shumë herë këtu të na bindin që fëmija ynë të vazhdojë shkollën dhe bashkëshorti im të merr pjesë në mbledhjet e tyre. Por ne u thamë që të na lënë të qetë”, tha ajo.
Ndërkaq, një tjetër qytetar i cili nuk deshi t’i bëhet publik emri, u shpreh se i ka dy fëmijë që ndjekin mësimin në Kolegjin Selman Asan dhe se që të dy aktualisht ndodhen për pushime verore në Turqi. “Do të fillojmë me procedurë menjëherë sapo të kthehen. Duam që fëmijët tanë të vazhdojnë në shkolla të tjera”, tha ai.