Fëmijët që bien vonë në gjumë lexojnë më keq


E martë, 9 Korrik 2013

Londër, 9 korrik – Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Londrës argumenton se prindërit që i vënë vonë fëmijët të flenë, ndikojnë negativisht në kujtesën dhe të menduarit e tyre.

Sipas pohimeve të studiuesve, 3-vjeçarët që rrinë zgjuar deri në mesnatë kanë probleme me leximin dhe aritmetikën.

Siç vënë në dukje ekspertët, pamjaftueshmëria e gjumit cënon ritmet natyrore të organizmit dhe godet fleksibilitetin e trurit të fëmijës, zakonisht, plotësisht të hapur ndaj informacionit të ri.

Madje më tepër se kaq, shtojnë shkencëtarët, fëmijëve me ritëm të parregullt gjumi rrallë u lexojnë përralla para se të flenë, ndërkohë që ata shohin më shumë programe televizive sesa bashkëmoshatarët e tyre që bien herët në gjumë.