Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Filloristët e Kosovës: Kaluese në matematikë, 3-sh në gjuhë shqipe

Prizren Post | 15:46 - 20.03.2016

Prishtine – Cilësia e mësimit në nivelin fillor në Kosovë mund të krahasohet me notë kaluese, sa i përket lëndës së matematikës, derisa me tresh (3) në lëndën e gjuhës shqipe.


Këtë vlerësim e ka dhënë Divizioni për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim (DVSM) në kuadër të Ministrisë së Arsimit (MASHT) duke u bazuar në vlerësimin e nxënësve me testin e klasës së pestë nga vitet e kaluara.

Udhëheqësi i këtij divizioni, Mustafë Kadriu, ka thënë për KP se ky vlerësim që ka filluar të bëhet tash e disa vite, ka bërë të kuptohet se ku qëndron niveli i cilësisë në këtë nivel të shkollimit.

Ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve që t’i kushtojnë më shumë rëndësi lëndës së matematikës dhe gjuhës shqipe. Ndërsa, bëri të ditur se këtë vit testi organizohet duke filluar nga data 20 prill.

Kadriu ka thënë se në kuadër të testit ka edhe pyetësorë me një numër të pyetjeve për gjendjen ekonomike e sociale të fëmijëve, numrin e anëtarëve në familje, në mënyrë që të mblidhen të gjitha kushtet dhe rrethanat që tregojnë për suksesin e nxënësve.

N një element tjetër i nxjerrë deri më tani nga ky test, është edhe fakti se në shkollat më të mëdha, që kryesisht ndodhen në qytete apo vende më të popullarizuara, cilësia e mësimit është më e lartë krahasuar me shkollat e vogla nëpër fshatra.

Po ashtu, nga pyetësori për mësuesin që bëhet në kuadër të këtij vlerësimi të cilësisë, Kadriu ka thënë se nxënësit e mësuesve me moshë më të madhe tregojnë edhe rezultate më të mira krahasuar me nxënësit që kanë mësues më të rinj në moshë.


Arivisti Company