Fjalori Enciklopedik i Kosovës u fali serbëve një fshat shqiptar


E diel, 28 Tetor 2018

PRISHTINË – Fjalori Enciklopedik i Kosovës i publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka pasur kritika të shumta nga lexuesit për përmbajtjen e tij.

Së fundi edhe shkrimtari, Ag Apolloni, ka reaguar për një pjesë të Fjalorit, ku për fshatin Vërban të komunës së Vitisë thuhet se është i populluar me banorë serbë, njofton Klan Kosova.

Apolloni pas vizitës në këtë fshat ka treguar se as një serb nuk ka banuar asnjëherë aty dhe se vetë serbët thonë se nuk ka pasur popullsi prej tyre në atë anë.

Shkrimtari ka akuzuar Akademinë se po ua jep serbëve një fshat shqiptar dhe ka kërkuar që Fjalori të hiqet menjëherë nga qarkullimi pas këtij gabimi.

Ky është postimi i plotë i Ag Apollonit:

Akademia ua jep serbëve një fshat shqiptar

Në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës (2018) thuhet se fshati Vërban është i banuar me popullsi serbe. Sapo e pashë lajmin në fejsbukun e botuesit tim (shqiptar), që është i asaj ane, shkova në Viti (për një punë tjetër) dhe pyeta (edhe për këtë “fakt” të Fjalorit). Kurrë asnjë serb s’kish banuar në Vërban. Madje, nga sa kërkova, as vetë serbët kurrë s’kanë thënë që në Vërban ka pasur serbë, jo më ta quajnë fshat me popullsi serbe.

Kështu, me këtë gabim kapital, Fjalori duhet të hiqet nga qarkullimi menjëherë dhe Akademia duhet të kërkojë falje që ua fali fshatin serbëve, duke falsifikuar historinë e fshatit. Po të ishte Fjalori online, jo i printuar, do të rregullohej lehtë e shpejt, por kryeredaktori i Fjalorit ishte ofenduar nga reagimi i një profesori që e kishte kritikuar botimin e printuar të Fjalorit dhe që e kishte propozuar botimin online (ashtu siç bëjnë sot edhe Amerika dhe Anglia).

Etiketa: ,