Forumi Musliman: ISIS nuk përfaqëson Islamin


E hënë, 18 Gusht 2014

Forumi Musliman i Shqipërisë dënon ashpër zhvillimet në Siri dhe Irak dhe distancohet nga aktet terroriste të të ashtuquajturit Kalifati i ISIS.

Kështu theksohet në një deklaratë të Forumit, në të cilën shpjegohet se ISIS nuk përfaqëson muslimanët. Sipas FMSH-së, aktiviteti i këtij grupi, si i dyshimtë, me maska të zeza e flamuj të zinj, përbën një ndër dëmet më të mëdha të organizuara në mënyrë sistematike ndaj emrit të Islamit.

Po ashtu, Forumi u bën thirrje të gjithë shqiptarëve muslimanë, por jo vetëm, që t’i përmbahen diturisë, përuljes dhe respektit, si vlera të shoqërisë sonë.

“Forumi Musliman i Shqipërisë, me indinjatë të thellë po përcjell aktet e dhunës dhe vrasjet masive të një organizate terrori e ashtuquajtur Kalifat i ISIS, e cila pas masakrës së mijëra myslimanëve në Siri dhe Irak, së fundmi ka kulmuar me dëbimin dhe vrasjen masive të popullsive minoritare të krishtera, që për shekuj kanë qenë nën mbrojtjen dhe në bashkëjetesë me myslimanët e atyre vendeve, raporton shekulli.

FMSH refuzon me neveri atribuimin e akteve të tilla, si praktika të myslimanëve dhe distancohet haptazi dhe prerë nga sjellje të tilla. Forumi u bën thirrje të gjithë shqiptarëve muslimanë dhe jo vetëm, t’i përmbahen diturisë, përuljes dhe respektit, si vlera për të cilat shoqëria jonë ka kaq shumë nevojë dhe si shembulli më i mirë për të cilën kjo fe na mëson”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e FMSH-së.

Po ashtu, FMSH thekson se po ndjek me vëmendje arrestimet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë, duke inkurajuar institucionet përgjegjëse për frenimin e ekstremizmit.

“Ne inkurajojmë organet kompetente në përpjekje për të frenuar ekstremizmin, po në të njëjtën kohë u tërheqim vëmendjen, që të bëjnë dallimin mes ekstremistëve dhe personave të paditur dhe të manipuluar”, thuhet në deklaratë.

Etiketa: ,