E diel, 1 Qershor 2014
Frazat popullore gjithmonë më kanë intriguar me përmbajtjen dhe mesazhet e tyre; ato shfaqin urtësi të thellë, dhe për më shumë kanë pasqyruar filozofinë jetësore të shoqërisë.
Mirëpo, jo gjithmonë e kanë dhënë mesazhin dhe filozofinë e duhur jetësore. Kuptimi një dimensional i tyre ka qenë shkak për persekutim- heretizim nga shoqëria, të atyre, që tashmë kishin parë-kuptuar një realitet tjetër; apo kishin ‘zbuluar’ një të vërtetë, që mendësia e turmës nuk mund ta perceptojë.
Nëse i bëjmë një vështrim disa frazave te vjetëra popullore, shohim se në opusin tonë kemi fraza të tilla, që japin konotacion nënshtrimi e servilizmi, ndaj shumicës që është në pushtet; dhe jo vetëm kaç, ato gjithashtu nënkuptojnë dhe nënshtrim ndaj mendimit-ideologjisë që trumbetohet nga shumica.
Këto kuptime mund t’i nxjerrim nga frazat popullore si : “Delja që largohet nga kopeja e han ujku” , pra duke e fuqizuar shumicën i është dhënë monopoli I së drejtës asaj, dhe duke mos lënë mundësi diversiteti në mendim dhe veprim të individit. Njeriu I ndryshon mendimet sepse ai është ‘pronar’ I mendimeve të veta, dhe jo e kundërta.
Për ta sqaruar atë që thashë më lartë do të shërbehem me fraze tjetër me finesë Cooley’ne është :“Nëse te thonë tre veta je I pirë, mbahu në pemë.” Përcepcioni mbi veten formohet në bazë të përcepcioneve që të tjerët kanë për mua. Pra, përcepcioni i përcepcioneve është vetja ime.
Një pjesë jo e vogël bën përpjekje në të gjitha format dhe më gjithë forcën që ka të ruaj ‘integritetin e kopesë’, por ai që ka provuar jetën jashtë kopesë ndodhë nganjëherë që vetëm si i vdekur mund t’i kthehet kopesë.
*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.