Gashi në MLS, nënshkruan për 4 vjet me Colorado Rapids


E martë, 2 Shkurt 2016

Shkëlzen Gashi zgjedh ëndrrën amerikane për të arritur Evropianin.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka surprizuar të gjithë duke vazhduar karrierën e tij jo në kontinentin e vjetër por përtej Atlantikut, në SHBA. E përditshmja zvicerane “Blick” ka lajmëruar largimin e Gashit nga Baseli për te amerikanët e Colorado Rapids. 27-vjeçari, që nuk po gjente hapësira në radhët e kampionëve të Zvicrës pas ardhjes së trajnerit Fischer, vendosi të luajë në MLS pavarësisht se kishte zëra se për të po interesoheshin dhe klube të Serisë A si Torino dhe Sampdoria.

Gashi këtë të Hënë kaloi me sukses dhe vizitat mjekësore me klubin amerikan përpara se të hidhte firmën e tij mbi kontratën 4- vjeçare me klubin amerikan. Zërat për një kalim të mundshëm të tij në SH.B.A. ishin shtuar ditët e fundit pasi lojtari kishte munguar në ndeshjen miqësore të Baselit ndaj Austrisë së Vjenës. Në Zvicër, sulmuesi i Kombëtares vitin e kaluar u shpall futbollisti më i mirë i kampionatit, ndërsa ka fituar dhe dy herë “Këpucën e Artë” të Raiffeisen Superliga të Zvicrës. Skuadra e tij Colorado Rapids, sezonin e kaluar u rendit në vendin e 10-të të Konferencës së Perëndimit duke mos u kualifikuar dot për në play-off.

Etiketa: ,