Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Gjatë këtij viti, Kosova me ligj për sigurime shëndetësore

Prizren Post | 16:21 - 15.09.2013

Prishtinë, 15 shtator – Ministria e Shëndetësisë, pritet që gjatë muajit tetor ta dorëzojë në Qeveri, projektligjin për sigurime shëndetësore. Këtë e pohon edhe këshilltari i ministrit shëndetësor, Abdullah Klinaku.

“Ministri i Shëndetësisë në këtë fazë është duke pasur konsultime me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ekspertët e tjerë të cilët merren me çështje të zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, përkatësisht për gjetjen e modeleve sa më të përshtatshme për të përgatitur draftin final të projektligjit për sigurime shëndetësore që të përcillet në Qeveri në muajin në vijim, me synimin që në fund vit të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Kësaj radhe në Projektligjin për sigurime shëndetësore janë marr parasysh edhe shumë propozime të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës. Kreu i kësaj federate, Blerim Syla tha se për shëndetësinë kosovare është shumë e rëndësishme miratimi i këtij ligji. Ai konsideron se pas miratimit të tij, aferat korruptuese në shëndetësi do të marrin fund.

“Unë mendoj se shumë shpejt mund të kanalizohen gjërat sepse shumë shpejt (6 muaj apo 1 vit) pas fillimit të implementimit, nëse vendoset një monitorim i mirë dhe nëse nuk kemi ndërhyrje të politikës çfarë kemi pas deri tash, atëherë, rregullat do të bëhen më strikte sepse do të ndikohen direkt ata njerëz që merren me këtë punë, dhe nuk do të kenë hesap që të komprementohen. Prandaj, unë mendoj se dal nga dal do të mundemi me dal nga këto afera korruptive të sistemit shëndetësor”, tha ai.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë i thanë Radio Kosovës, se Ligji për Shëndetësi, Ligji i Odave të Profesionistëve Shëndetësor dhe tani Ligji për Sigurim Shëndetësor do ta ndihmojnë reformën e nisur në sistemin shëndetësor. koha


Arivisti Company