Gjatë ndeshjes Bashkimi – Dukagjini, sulmohet një polic


E hënë, 7 Tetor 2013

Prizren, 7 tetor – Është sulmuar një njësit i policisë së Kosovë në Prizren, ku si rrjedhojë një oficer ka pësuar lëndime.Sipas një njoftimi të forcave të rendit, sulmi është kryer nga tifozë të paidentifikuar, gjatë ndeshjes basketbollistike ndërmjet të Bashkimit të Prizrenit dhe Dukagjinit të Pejës, të zhvilluar të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi”.

“Është shkaktuar prishje e rendit edhe në brendi të qytetit, me ç’rast tifozët kanë sulmuar njësitin policor në afërsi të Kuvendit Komunal, dhe me mjete po ashtu të forta të madhësive të ndryshme kanë dëmtuar edhe veturën zyrtare të Policisë së Kosovës”, thuhet në raportin policor që i është dërguar redaksisë.

Ndryshe gjatë përpjekjeve të policisë për të qetësuar gjendjen, ka ardhur edhe tek sulmi i drejtpërdrejt i forcave të rendit.

“Si pasojë e gjuajtjes nga ana e tifozëve me mjete të forta (kocka betoni), lëndime të lehta trupore ka pësuar viktima mashkull pjesëtar i Policisë së Kosovës”, thotë njoftimi.

Policia nuk ka raportuar për ndonjë të arrestuar nga ky incident.