Gjermania do të dyfishojë numrin e dëbimeve të refugjatëve


E hënë, 11 Prill 2016

Kordinatori i qeverisë gjermane për refugjatët, Peter Altmaier u ka kërkuar autoriteteve gjermane të dyfishojnë numrin e dëbimeve për azilkërkuesit, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit.

Në vitin e kaluar ka pasur 37 mijë e 220 persona të kthyer vullnetarisht. Numrin më i madh i të kthyerve ka qenë nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Derisa 22 mijë persona janë dëbuar, ka thënë kreu i zyrës së kancelares, Altmeier, për grupin mediatik “Funke Mediengruppe”.

Politikani i CDU-së ka theksuar se “tani kërkohet veprimi i landeve.”

Aktualisht Zyra Federale për Migracionin e Azilin (BAMF) trajton 50 mijë kërkesa në muaj, më shumë se një e treta e kërkesave refuzohen.

“Ne duhet të kujdesemi që të rritet dukshëm numri i të kthyerve”, ka thënë Altmeier.

Ministri i kancelarisë, ka lëvduar marrëveshjen me Turqinë.

“Marrëveshja me Turqinë për kthimin e refugjatëve funksionon më mirë se që prisnim të gjithë. Qëllimi ynë ishte, dhe është të reduktojmë dukshëm numrin e refugjatëve. Kjo duket se po ka sukses“, ka shtuar Altmeier.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbështet aktualisht arritjen e marrëveshjes me Libinë.

“Dhe nga fakti nëse do ia dalim të bëjmë një marrëveshje të arsyeshme me Libinë, varet edhe kontrollimi i itinerarit përmes Italisë, ashtu siç kemi bërë me Turqinë“, ka thënë Merk el.

Muajt e fundit Gjermania dhe BE ia kanë dalë të ndihmojnë Turqinë, Jordaninë dhe Libanin në furnizimin e kujdesin e refugjatëve, shkruan Oranews.

“Më mirë është të ndihmojmë njerëzit për një jetë të durueshme pranë vendlindjes, se sa të vijnë të gjithë këtu ku na duhet bëjmë të gjithë punën e integrimit”, ka thënë Merkel.

Ajo ka premtuar ndihmë për vendet afrikano-veriore, në mënyrë që të rinjtë ta shohin perspektivën e jetës në këto vende.

Ndërkohë, Gjermania dhe Afganistani kanë shënuar progres në drejtim të një marrëveshje pranimi te të kthyerve. Një projekt-marrëveshje do t’i ofrohet ambasadës gjermane në Kabul javën e ardhshme, ka thënë ministri afgan për Refugjatët, Said Hussain Alemi Balkhi.

Propozimin gjerman, pala afgane e ka në dorë që prej një muaji. Priten së shpejti bisedime, por deri atëherë Afganistani nuk do të pranojë kthimin e refugjatëve afganë.

Sipas ministrit afgan, marrëveshja parashikon të mos dëbohen gratë, fëmijët, të moshuarit dhe afganët e sëmurë.

Etiketa: ,