Gjermania njofton se Schengeni është në rrezik


E martë, 5 Janar 2016

Berlin – Gjermania paralajmëroi sot se zona Shengen e udhëtimit pa pasaporta është në ‘rrezik’, pas vendosjes nga Suedia dhe Danimarka të kontrolleve të reja kufitare për të frenuar vërshimin e emigrantëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane Martin Shafer tha se “Liria e lëvizjes është një parim i rëndësishëm” dhe një nga arritjet më të mëdha të Bashkimit Evropian.

Ai i bëri komentet menjëherë pas deklaratave të Danimarkës, e cila njoftoi se do të vendosë kontrolle të përkohshme në kufirin me Gjermaninë dhe Suedinë.

Në Danimarkë, njerëzit që shkonin sot në punë u përballën me kufizime të reja udhëtimi, të imponuara nga Suedia, për të frenuar vërshimin rekord të emigrantëve në vend. Për të udhëtuar në Suedi, tani ata duhet të paraqesin kartën e identitetit.

Në stacionin hekurudhor Kastrup pranë aeroportit të Kopenhagës, personeli i sigurisë fotografonte dokumentet e njerëzve para se ata të mund të vazhdonin udhëtimin për në Suedi.

Edhe njerëzit që hyjnë në Suedi me traget tani duhet të paraqesin kartën e identitetit.

Masat e reja pasojnë rivendosjen e kontrolleve kufitare në Gjermani, Austri, Francë, Belgjikë dhe vende të tjera të zonës Shengen për udhëtimin pa pasaporta dhe që përfshin 26 vende.

Kryeministri danez Lars Loekke Rasmussen, tha se kontrollin e identiteteve e imponon gjendja e krijuar:

“Në qoftë se Bashkimi Evropian nuk i mbron dot kufijtë e jashtëm, atëherë do të shohim gjithnjë e më shumë vende që do të detyrohen të fusin kontrolle të përkohshëm të kufijve të brendshëm. Është diçka që duhet ta marrim shumë seriozisht, sepse do të ketë ndikim negativ në begatinë e vendit.”

Masat thuhet se janë të përkohshme, por ka të ngjarë që ato të zgjasin nëse kriza e imigracionit në Evropë vazhdon edhe këtë vit.

“Është e nevojshme që udhëheqësit evropianë të reagojnë. Ky është një sinjal i qartë se Evropa tani duhet të marrë vendime për të mbrojtur kufijtë e jashtëm,” tha kryeministri.

Kryeministri danez tha se, nëse kjo nuk bëhet, ajo mund të ketë ndikim negativ mbi lirinë e lëvizjes në Evropë dhe, në vështrimin afatgjatë, edhe mbi rritjen ekonomike evropiane./Zëri i Amerikës/

Etiketa: ,