Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Gjinishi: Në Shqipëri strukturat paralele të Gülenit kanë aktivitet kriminal

Prizren Post | 12:19 - 21.07.2016

Tiranë – Tentativa për grusht shteti në Turqi nga FETÖ dhe ndërhyrja e menjëhershme e popullit dhe institucioneve të Turqisë për ta parandaluar ka shkaktuar reagime nga e mbarë bota, të politikanëve, drejtuesve të shteteve, si dhe analistëve dhe studiuesve të ndryshëm.

Reagime ka patur edhe në Shqipëri, si në radhën e politikave, por edhe analistëve. Studiuesi Ermir Gjinishi duke folur për Anadolu Agency (AA) shprehet se pjesëtarët e lëvizjes Gülen kanë arritur të rekrutojnë një masë të madhe të shqiptarëve që punojnë në institucione të caktuara në Shqipëri, ku sipas tij janë prezentë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Parlamentin Shqiptarë dhe në strukturat e partive politike.

Ai shprehet se pjesëtarët e strukturës paralele po përpiqen të manipulojnë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në tentativën për grusht shteti në Turqi. Gjithashtu shton se Gülen e ka shfaqur me kohë qëllimin e tij. “Rasti i fundit për tentativë për grusht shteti për mendimin tim ishte tentativa e fundit pas goditjes që kanë marrë nga shteti turk për disa vite me radhë. Është një goditje e madhe e cila ende vazhdon. Sigurisht që e shumta ka kaluar por celulat e Gülenit janë të mirë kamufluara dhe duket se po qëndrojnë deri në fund kundër një shteti legjitim i ardhur me votën e popullit dhe vullnetin e sovranit. Bota duhet të kuptojë që ky ishte një grusht shteti dhe për këtë duhet t bashkohemi të gjithë. Çdo tentativë për të rrëzuar një pushtet që ka ardhur me votë demokratike është anti-shtetërore, anti-kushtetuese dhe është një krim si dhe terrorizëm pasi ka viktima nga populli turk, policia dhe ushtria”, shprehet Gjinishi.

Sipas tij, nisur nga disa shkrime dhe analiza të dy-tre viteve më parë nga analistë të huaj rezulton që Shqipëria është shteti më i kapur në Ballkan nga strukturat paralele të Gülenit. Ai shton se përhapja e gylenistëve në Shqipëri nuk ka të bëjë fare me aktivitet fetar apo arsimor.

“Eksponentë të cilët e deklarojnë veten si ndihmës të Gülenit në Shqipëria janë njerëz që janë akuzuar dhe kapur për trafiqe droge. Aktiviteti i njerëzve të tij është një aktivitet antiligjor, pavarësisht se kanë arritur deri më sot të manipulojnë të gjithë opinionin, të kapin dhe sistemin ose pjesë të strukturave që merren me çështjet e sigurisë për të garantuar në format që ato dinë aktivitetin e tyre kriminal. Strukturat gyleniste në Shqipëri kanë aktivitet kriminal si pastrim parash, evazion fiskal dhe trafiqe. Dhe po ti shikosh njerëzit që i përfaqësojnë këto biznese janë anonim. Si mundet që këto njerëz anonim që nuk kanë një shtëpi dhe brenda pak viteve krijojnë këto biznese gjigande? Sigurisht këto janë manovra dhe gylenistët kanë një eksperiencë 40 vjeçare për mënyrën se si i krijojnë strukturat dhe si manipulojnë ligjet”, thekson Gjinishi.

Ai pohon se është i shqetësuar për realitetin e kësaj lëvizjeje që sipas tij fshihet pas njerëzve që mbajnë kostum dhe kollare. Gjinishi shton më tej se “Këta njerëz i binden vetëm urdhrave të krerëve të strukturave dhe nuk kanë mëndje, nuk kanë logjikë, kanë kaluar nëpër laboratorët që i ka rritur Gülen me shkollat e tij që në moshën 14 vjeç. Iu është shpëlarë truri dhe nuk janë më vetvetja. Janë thjeshtë robotë që nuk marrin frymë. Janë homo-robotë. Si duket lëvizja e Gülenit ka pas që në fillim si objektiv Shqipërinë dhe kur flasim për Shqipërinë flasim edhe për Maqedoninë dhe Kosovën që është pjesa më e madhe e një kombi, të ndarë në 3 pjesë në Ballkan. Duke pasur parasysh që pjesa më e madhe është dhe muslimanë, janë shfrytëzuar shumë metoda që Shqipëria të jete baza e gylenistëve në Ballkan, dhe këto deri dikur janë arritur. Një pjesë e studentëve që kanë studiuar në shkollat e Turqisë janë rekrutuar nga lëvizja Gülen. Ne jemi një popull i varfër dhe kemi kaluar 50 vjet komunizëm. Sigurisht që kemi pasur probleme të shumta dhe nuk ka qenë e vështirë që të korruptohej një shqiptar. Sigurisht që kjo është dobësia jonë të cilën Güleni ka ditur ta shfrytëzojë.”

Gjinishi shton se në qeverinë e kaluar ka pasur njerëz me peshë politike madje deri tek ministrat të cilët merrnin urdhra nga strukturat e Gülenit. “Njerëzit e tyre, bizneset e tyre marrin tendera në mënyrë korruptive dhe pasurohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sigurisht që ne po e shohim se ku po shkojnë këto financa. Në qoftë se sot kanë goditur shtetin turk dhe lirinë e Turqisë nesër mund të godasin lirinë e Shqipërisë, sepse këto nuk kanë shtet dhe nuk kanë ideal, ato kanë vetëm interesa. Interesa për të kapur dhe drejtuar në mënyrë të pandershme dhe joligjore popujt, për ti shtypur. Unë e kam cilësuar se lëvizja e Gülenit është më e poshtër se DAESH-i dhe a e dini pse? Sepse DAESH-in e shohin të gjithë, kanë flamur të zi, rroba të caktuara dhe i shikon. Ndërsa këto janë midis nesh me kollare dhe të padukshëm. Përhapja dhe zhvillimi i lëvizjes së Gülenit në Shqipëri ka kaluar në disa faza. Unë i bëj thirrje shtetit turk që të na ndihmojë duke bërë publike listën e shqiptarëve të Shqipërisë që janë përfshirë në strukturat paralele gjatë studimit të tyre në Turqi. Sepse ky është problemi më i madh në Shqipëri”, shprehet ai.

Studiuesi Gjinishi thekson se pjesëtarët e kësaj lëvizjeje kanë arritur të rekrutojnë një masë të madhe të shqiptarëve që punojnë në institucione të caktuara në Shqipëri, ku sipas tij janë prezentë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Parlamentin Shqiptarë, në strukturat e partitë politike dhe ai shton se financojnë direkt parti politike. “Gylenistët përmes sondazheve false dhe uebeve online mundohen që ta paraqesin Gülenin si një figurë të lartë fetare, por nuk është referencë fare në botë. Bota ka disa lista dijetarësh të cilët i kanë si referenca. Megjithatë e vërteta është e hidhur. Lëvizja e Gülenit është e futur shumë keq në Shqipëri. Unë dyshoj dhe druaj që ka edhe ministra në Shqipëri. Gjendja është shumë e rëndë. Unë druaj që pas tentativës për grusht shteti në Turqi kjo lëvizje do të bëjë Shqipërinë një qendër të tyre të fshehtë. Pasi Shqipëria është e dobët ekonomikisht dhe nga ana e demokracisë dhe krejtësisht vend i përshtatshëm për një lëvizje të tillë të kamufluar. Brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të kapë një pjesë të mire të politikanëve dhe klasës politike në vend”, thekson ai.

“Të gjitha skenarët janë të mundshëm sepse Güleni përderisa nuk ju dhimbs vendi i tij, shteti i tij, gjaku i tij dhe vëllezërit e tij, nuk ka pse ti vijë keq për popullin shqiptar për ti futur në një katrahurë gjakatare vëllavrasëse. Ai ka treguar me shembuj që di ti bëjë këto gjëra. Ne jemi të kërcënuar seriozisht nga strukturat paralele që janë shtrirë dhe kanë deportuar në të gjitha qelizat e shtetit shqiptar. Nuk mund të them se deri ku kanë arritur por që janë prezente. Media shqiptare ndoshta është e vetmja media në botë që reagoi si media e Asadit apo e Sisi-s. Manipuluan pothuajse tërësisht atë që po ndodhte në Turqi. Pasi u njohëm me tentativën për grusht shteti në Turqi, në Shqipëri tre gazeta publikuan një dite më vonë shkrime që mund të jenë parapërgatitur. Gazetarët eksponentë të lëvizjes së Gülenit në Shqipëri kanë qenë shumë aktiv për ta manipuluar këtë situtë”, ka shtuar më tej Gjinishi.

Nëse Turqia do të kërkojë nga Shqipëria dëbimin e gylenistëve nga vendi, Gjinishi shton se në këtë mënyrë do të shikohet se si do të reagojë Shqipëria dhe nga kjo do të kuptohet se deri ku i ka shtrirë tentakulat e saj kjo organizatë. “Nëse shteti shqiptar do të rreket në reagimet e veta atëherë kjo do të nënkuptojë që është kapur fort. Unë kam bindjen që çfarë do lloj kapje që kanë ato në Shqipëri mund të largohen pasi nuk mund të krijojnë asnjë vakum duke ditur që ne jemi në prag të hyrjes në BE. Dëmi ekonomik në këtë pikëpamje mund të jenë deri diku, por dëmi që mund të na krijojnë ata ne si shoqëri është shumë herë më i madh. Mund të na çojnë deri në një luftë civile nëse nuk i largojmë nga vendi”, përfundon studiuesi Gjinishi.


Arivisti Company