Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Gjorgje Ivanov: Ideja evropiane kontribuon në stabilitetin e rajonit, e jo zgjerimi në territore të reja

Prizren Post | 15:45 - 08.05.2015

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, në një intervistë ekskluzive për AA flet për zhvillimet në vendin e tij, zhvillimet në rajon, politikën e jashtme që ndjek vendi, krizën e emigrantëve…

Shkup – Adnan IDRIZ/Besar ADEMI

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një interevistë për Anadolu Agency (AA) deklaron se ekzistojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Turqisë, veçanërisht pas pavarësisë së shtetit. “Deri sa ishim brenda Jugosllavisë, nga Beogradi krijohej politika me vendet tjera, ndërsa pas pavarësisë së Maqedonisë të gjithë atë që kemi si traditë dhe përvojë doli në pah dhe në bazë të asaj ndërtuam marrëdhëniet e mira me Turqinë”, shprehet Ivanov, dhe shton se, Turqia është një ndër të parët që pranoi pavarësinë dhe gjithmon ka ndihmuar në sfidat e këtij shteti.

Presidenti Ivanov, veprimet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim “TIKA” dhe Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Republikën e Maqedonisë i konsideron si një ndihmë të madhe jo vetëm të përkatësisë turke në Maqedoni, por edhe të të gjithë popullsisë në vend. Ai përmendi Qendrën Urgjente pranë Klinikës së fëmijëve, e cila është e ndërtuar nga TIKA në interes të të gjithë fëmijëve, si dhe disa aktivitete të tjera, që vazhdimisht kontribuojnë në kërkesat e shoqërisë së popullsisë që jetojnë në Maqedoni.

“Në Maqedoni gjithmon është përdorur gjuha, kultura dhe tradita turke, në krahasim me vendet tjera të Ballkanit të cilët janë munduar të asimilojnë popullsinë turke. Këtu ka ekzistuar një traditë e bashkëjetesës, që është një trashëgimi prej kohës së periudhës së Perandorisë Osmane dhe kohëekzistenca dhe stilet e njëjta të jetesës kanë kontribuar që edhe këto fondacione turke kanë se çka të ofrojnë, mirëpo kanë edhe çfarë të përdorin prej Maqedonisë në vendet tjera të Ballkanit ku jetojnë popullsia turke”, deklaron presidenti Ivanov.

– Kontaktet personale me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, tregojnë zhvillimin e kabineteve të të dy vendeve –

Ivanov në vazhdim thekson se edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përveç kontakteve zyrtare, kanë edhe kontakte personale të krijuara që nga koha kur Erdoğan ishte kryeministër. “Kjo tregon zhvillimin e kabineteve tona. Kabinetet gjithmon bashkëpunojnë dhe çdo herë kur kemi nevojë për ndonjë iniciativë, ne gjejmë një gjuhë të përbashkët. Kjo është shembull edhe për vendet tjera të Ballkanit, liderët dhe kabinetet e tyre të kontribuojnë në prosperitetin e përbashkët dhe në sukses të të gjithë rajonit”, thotë ai, duke mos lënë pa përmendur se kontaktet e tij personale ekzistojnë edhe me krerët tjerë të lartë të shtetit turk.

Në lidhje me lobimin turk për integrimin e Maqedonisë në NATO, presidenti Ivanov thotë se ekziston një besim për partneritet strategjik në Turqi, ndërsa më tej shprehet se nuk është vetëm lobimi për në NATO, por edhe në misionet paqësore ku bashkërisht kanë qenë pjesëmarrës. Siç thotë ai, në këto misione në Afganistan dhe Irak, Turqia gjithmon ka ndihmuar Maqedoninë me vendime, shkollim të stafit të Armatës, si dhe mbështetje me pajisje ushtarake.

– Deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe shefit të diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, për bashkimin e kufijve të dy vendeve shkakton konflikte në Ballkan –

Ivanov gjatë bisedës me gazetarin e AA-së, komentoi edhe deklaratën për bashkimin e kufijve Kosovë-Shqipëri nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai shpreh bindje se disa politikanë përdorin këto raste për të mobilizuar votuesit.

“Është e panevojshme në ditët e sodit të përdoret retorikë e shekullit të 19 dhe të 20. Të gjithë ne mund të jemi të mëdhenj në Ballkan nëse ngritemi dhe investojmë në standarde, kriteriume dhe principe sa më të larta, e jo të mendojmë të zgjerohemi horizontalisht ose në territore të reja, e cila çdo herë shkakton konflikte në Ballkan”, thotë Ivanov.

Sipas tij, ideja evropiane është ajo që kontribuon në stabilitetin e rajonit, mirëpo atë e shqetësojnë standardet e dyfishta që ekzistojnë nga liderët evropian ndaj këtij rajoni. “Deri tani, sikur të ishte realizuar Axhenda e Selanikut, e cila sugjeroi që i gjithë Ballkani të jetë në Bashkimin Evropian në vitin 2014 si viti simbolik i njëqind vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, atëherë situata në gjithë rajonin do të ishte krejtësisht ndryshe, sepse rajoni jonë është rezultat edhe i historisë, por edhe i gjeografisë”, nënvizon Ivanov, duke u arsyetuar në atë se në këto territore bëjnë pjesë civilizime të ndryshme, kultura, fe dhe identitete të ndryshme, si dhe ‘Ballkani çdo herë jeton në paqe kur është i hapur, kur njerëzit komunikojnë, si dhe kur krijojnë konkurrencë dhe treg të përbashkët’.

Ivanov shtoi se ndarjet që ndodhën me shpërbërjen e Jugosllavisë mund të tejkalohen vetëm me ri-hapjen e tërë territorit dhe këtë, sipas tij, mund ta krijojë vetëm Bashkimi Evropian, sepse ajo përcakton disa kritere, standarde dhe principe për të gjithë. “Duke respektuar dhe mbrojtur ato principe ne nuk do të kemi këto deklarata për të luftuar mbështetjen e zgjedhjeve”, shprehet ai.

Ivanov në vazhdim thotë se Maqedonia përshëndet çdo dialog ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe i gëzon që pas një të kaluare dramatike, liderët e Kosovës dhe Serbisë arrijnë të diskutojnë. “Kur bisedohet dhe kur ka dialog, mund të gjendet zgjidhje. Nëpërmjet dialogut mund edhe të njihen nga afër, sepse kur nuk ka dialog, nuk dihen arsyet apo shkaqet, si dhe ndonjëherë drejtohemi në shfaqje dhe stereotipe të gabuara, por kur ekziston dialogu ndjehet nevoja për të gjetur një zgjedhje”, deklaron Ivanov.

Ai duke parashtruar pyetjen se si do të ndikojë kjo në Maqedoni, tha se një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare në Maqedoni janë me origjinë nga Kosova dhe ata preken kur në Kosovë ndodhin ngjarje të trazirave. “Ashtu si do të përparojë dhe do të ecë përpara ai dialog, ashtu edhe ndjenjat nga ana e komunitetet shqiptar në Maqedoni do të ndryshojnë dhe do të jenë miqësorë ndaj serbëve dhe ndaj popujve tjerë që jetojnë në këto territore”, shprehet Ivanov.

– Opozita maqedonase me mjete tjera mundohet të ndikojë pozitivisht tek popullata –

Shkakun e situatës dhe krizës politike aktuale në Maqedoni, Ivanov e arsyeton pasi që ky shtet është kandidat në Bashkimin Evropian gati për një dekadë, ndërsa më tej thotë se anëtarësimin e vendit e pengon edhe opozita maqedonase. “Mos zgjidhja e çështjes së anëtarësimit të vendit në NATO krijoi një zhgënjim në shoqërinë e Republikës së Maqedonisë. Maqedonia nuk duhet të qëndrojë vetëm në vend dhe të pres që dikush të ndjej keqardhje dhe të marrë një vendim për të filluar negociatat”, nënvizon ai.

Ivanov duke theksuar se dhjetë vitet e fundit opozita maqedonase ka pësuar disfatë, pasi që nuk ka asnjë fitore, shtoi se, me mjete tjera mundohet të arrijë që të ndikojë pozitivisht tek popullata dhe të mobilizojë votuesit. Sipas tij, për të fituar votuesit dhe besimin e qytetarëve, duhet të ofrohet diçka që është më e mirë se ajo që ekziston.

Në pyetjen nga gazetari se a qëndron ndonjë shërbim tjetër pas opozitës, Ivanov thotë se atë procesi gjyqësor do ta vërtetojë, ndërsa më tej thekson se diçka e ngjajshme ka ndodhur edhe para 15 viteve, kur të njëjtit aktorë të njëjtën krizë e kanë shkaktuar. Ai shtoi se ndryshe nga kjo herë, dy krizat e mëparshme presidenti ka pasur mundësi të organizojë mbledhje të liderëve në kabinetin e tij dhe nëpërmjet dialogut të gjendet një zgjidhje, që të diskutohen edhe shkaqet, mirëpo edhe pasojat e çdo krize.

Ivanov duke theksuar se lideri i opozitës aspak nuk dëshiron të shkel në kabinetin e presidentit dhe se zgjidhja arrihet vetëm me dialog, e jo rrugëve me protesta e dhunë, deklaron se, “Me sjelljet e opozitës nuk shohim integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, nuk shohim se qëllimi është Evropa. Këtu ndoshta përdoret situata aktuale për interesa personale nga lideri i opozitës, i cili është futur në një skandal. Nuk mundesh me një krim të tregosh krimin. Megjithatë, këtë herë lideri i opozitës aspak nuk dëshiron të shkel në kabinetin e presidentit, ai nuk dëshiron të bisedojë edhe me institucionet e shtetit. Mendon se në mënyrë institucionale mund t’i arrijë qëllimet që i ka për të ardhur në pushtet”.

– Fitorja e partisë së re “Syriza” në Greqi, shpresë për zgjidhjen e kontestit për emrin –

Presidenti Ivanov, thotë se tani për tani, pika të reja në lidhje me kontestin e emrit me Greqinë nuk ka, mirëpo ai shpreson se pas një afati të gjatë të partisë greke “Syriza” në skenën politike ekzistojnë mundësitë e kontribuimit në zgjidhjen e kontestit, sepse ajo është elitë e parë që ka ardhur në skenën politike në Greqi, e cila nuk rrjedh nga periudha e Luftës së Ftohtë.

“Disi jemi të robëruar nga shfaqjet e elitës politike në Greqi, e cila ekziston nga koha e Luftës qytetare në Greqi dhe prej kohës së Luftës së Ftohtë kur ishim në anët e kundërta. Ata ishin anëtarë të NATO-s, ndërsa ne ishim pjesë e Jugosllavisë që i takonte Shteteve të Painkuadruara dhe ende tek një pjesë e politikanëve të Greqisë ekziston ajo përshtypje e së kaluarës. Ardhja e kësaj garniture të re të partisë Syreza, të cilët e vërejtë realitetin e ri, e vërejnë se popullsia e Maqedonisë dhe popullsia e Greqisë kanë marrëdhënie të mira shoqërore, biznesore, kulturore dhe bashkëpunojnë në shumë fusha. Ashtu që, gjeneratat e reja në Maqedoni dhe Greqi janë një realitet i ri, të cilën do ta ketë parasysh edhe Syreza në veprimet e ardhshme të saj”, deklaron presidenti Ivanov.

Ndërkohë, Ivanov shton se Greqia sot është e preukupuar me problemet ekonomike në vend, mirëpo shpresat ekzistojnë që pasi të lirohen nga problemet e tyre do të kenë më tepër kohë të ndryshojnë qasjen e tyre si fqinj ndaj Maqedonisë. “Nuk është e hijshme sot në shekullin e 21, që një shtet si Greqia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian, të nënçmoj për marrëdhënie bilaterale. Ne në një farë mënyre jemi viktimë e kushtëzimit që na bëhet nga ana e Greqisë në drejtim të emrit tonë, identitetit tonë dhe kulturës tonë”, thotë ai.

Ivanov nënvizon se kontesti me Greqinë është dërguar edhe në gjyqin e Hagës, mirëpo edhe pse, siç thotë ai, Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësimin e vendit, shkaku i vetëm ngelet pengesa nga Greqia e cila vazhdon të kushtëzojë me mohimin e emrit, identitetit dhe kulturës së tyre.

Presidentin Ivanov e shqetëson edhe konflikti ruso-ukrainas, pasi që është një konflikt ndërmjet dy popujve miqësore të Maqedonisë. “Në historinë tonë edhe kur nuk kishim shtet, popujt tonë kanë bashkëpunuar. Na shqetëson sepse e gjithë ajo që është duke ndodhur në Ukrainë na rikujton ndodhitë e ish Republikës Jugosllave, kur të gjithë shpresonin se dikush prej jashtë do të zgjidhë situatën dhe do të ndihmojnë që të gjendet një zgjidhje”, shprehet Ivanov, dhe thekson se çdo herë duhet të fillohet nga interesat e çdo kujt dhe të gjendet një zgjidhje nëpërmjet dialogut, e jo nëpërmjet konflikteve luftarake.

Ai shtoi se, sikurse shtetet tjera edhe Maqedonia ndjek interesat e veta dhe do të vazhdojë të mbështet marrëdhëniet e shkëlqyera edhe me popullin e Ukrainës, edhe me popullin e Rusisë.

– Emigratët duhet të ndihmohen, e jo të kthehen në vendet e tyre ku nuk ekzistojnë kushtet elementare të jetesës –

Kohën e fundit në rrugët hekurudhore të Maqedonisë një numër i madh i emigrantëve humbën jetën, duke u përpjekur të kalojnë në Serbi nëpërmjet Maqedonisë dhe të arrijnë në vendet e Bashkimit Evropian. Ivanov thekson se këto fatkeqësi duhet parë edhe nga ana e Bashkimit Evropian. “Duhet që Komisioni Evropian të diskutojë se në çfarë mënyrë duhet të zgjidhet kjo çështje, sepse në krahasim me vitin e mëparshëm numri i emigrantëve në Maqedoni është dyfishuar. Ne disi jemi një zonë transit e cila shfrytëzohet nga emigrantët nga Afrika Veriore, Lindja e Mesme, Azia, nga ato vende ku përfshihen të gjitha konfliktet, ku nuk ka as kushte themelore për jetesë”, thotë ai.

Sipas presidentit Ivanov, në institucionet e Maqedonisë shqyrtohet kjo çështje dhe janë të shqetësuar për fatin e emigrantëve. “Institucionet duhet të sanksionojnë ata që shpërdorin këtë, veçanërisht trafikantët ose kriminelët që për një shumë të hollash i premtojnë se do t’i sjellin në tokën e premtuar dhe përdorin fatin e tyre për të përfituar nga kjo”, shprehet ai.

Ivanov thotë se emigratëve në Maqedoni u mundësohet të kërkojnë azil, të përdorin kushtet të cilat çdo shtet tjetër i ka dhe të mund të mbijetojnë, mirëpo ata përdorin korridoret ndërkombëtare, kryesisht rrugën hekurudhore të frikësuar se mos të kapen nga policia, humbin jetën e tyre të ekspozuar ndaj rreziqeve në vendkalimet ku gjatë natës nuk ka dritë.

Në lidhje me këtë çështje, Ivanov thotë se Greqia nuk dëshiron të bashkëpunojë me Maqedonisë, pasi që para se emigratët të arrijnë në Maqedoni, lëshohen nga ana e Greqisë. Sipas tij në Maqedoni është shfaqur një solidaritet i njerëzve që i ndihmojnë emigrantët që të mbijetojnë në Maqedoni dhe të vazhdojnë rrugën drejt Evropës, pasi që Evropa është destinacioni ku numri më i madh i tyre përpiqen të arrijnë dhe të gjejnë një punë. “Kjo kërkon një qasje të organizuar dhe ndihmë, e jo që ata njerëz të kthehen nga kanë ardhur. Si do të kthehen në vendet e tyre ku nuk ekzistojnë as kushtet elementare për jetesë”.

Presidenti Ivanov në fund të fjalës së tij, nuk la pa përmendur se bota është në një trasnformim të madh me shumë ndryshime. “Shteteteve vazhdimisht u harxhohet fuqia dhe energjia në ndikimin e territoreve të tyre, sepse nuk është duke u globalizuar vetëm ekonomia, por globalizohen edhe krimet, globalizohen tendencat negative në botë”, shprehet Ivanov.

Siç thotë Ivanov, fatkeqësisht sot jetojmë në kohën kur të rinjtë, kryesisht janë globalizuar psiqikisht dhe çdo ditë ata përdorin qasjet nëpërmjet internetit, përdorin teknologjitë e reja, rjetet sociale dhe shpesh bien në ndikim të disa fushatave të cilat nuk kontrollohen, ndërsa ata besojnë në ato.

Ivanov duke theksuar se shumë të rinj vet krijojnë ide për veten e tyre dhe për botën, si dhe shpesh joshen nga vizione dhe mësime të sjelljeve radikale, shtoi se, “Për këtë shkak ndodh që të kemi aq persona të rinj nga rajoni jonë që janë pjesëmarrës në konfliktet në Siri dhe Irak dhe kjo nuk është rezultat i gjendjes sociale ekonomike”./AA/


Arivisti Company