Gjuriq reagon ashpër ndaj deklaratës së Mogherinit për Asociacionin


E premte, 6 Maj 2016
Marko Gjuriq

Marko Gjuriq

Beograd – Për Serbinë është e papranueshme ndryshimi i njëanshëm i marrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke komentuar deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.


“Askush nuk do të ridefinoj atë për të cilën kemi rënë dakord më 25 gusht”, tha Gjuriq mbrëmë në televizion serb “Pink”, transmeton Klan Kosova.

Mogherini gjate vizitës zyrtarë në Prishtinë tha se Asociacioni nuk do të jetë strukturë paralele e Qeverisë serbe dhe se nuk do të cenojë integritetin territorial të Kosovës.

“Shumë e respektojmë rolin tuaj, por ne nuk do të pranojmë që ju ose dikush tjetër ta rishikojë atë për të cilën kemi rënë dakord “, ka thënë zyrtari serb, duke shtuar se ky është mesazh për komunitetin ndërkombëtar dhe vet Mogherinin, e cila është ndërmjetësuese në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Serbia nuk heq dorë nga formimi i Asociacionit të komunave serbe. Ne nuk do ta lejojmë rishikimin e marrëveshjes “, ka deklaruar më tutje shefi i zyrës serbe për Kosovën, transmeton Klan Kosova.