Grabovci: Këtë nuk e kemi pritur


E martë, 7 Tetor 2014

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci në një intervistë të shkurtër dhënë për Gazetën Blic është përgjigjur në atë se a e ka pritur PDK që katër muaj pas zgjedhjeve të mos e ketë asnjë partner për bashkëqeverisje, si të dilet nga situata aktuale politike dhe si do t’i bëjë PDK numrat.

Grabovci ka thënë se PDK nuk e kishte pritur, madje as nuk e kishte menduar që edhe katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve edhe pse do të dalë partia e parë, të mos ketë asnjë partner për bashkëqeverisje.

“Askush nuk e ka pritur sjelljen e tillë të atyre partive politike, të cilët jo vetëm që e kanë bllokuar veten, por e kanë bllokuar edhe vendin. Ata (VLAN) që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk e duan as shtetin”, ka thënë Grabovci.

Grabovci, megjithatë e ka edhe formulën se si të dilet nga kjo krizë politike në të cilën ndodhet vendi.

Sipas tij, e vetmja mundësi që vendi të dalë nga kriza politike është respektimi i Kushtetutës, i ligjeve dhe i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse nuk i respektojmë këto, atëherë nuk po duam shtet”, thotë Grabovci, duke e akuzuar Bllokun VLAN, që nuk po e bën një gjë të tillë.

Ish- shefi i deputetëve të PDK-së në legjislaturën e kaluar, i cili u bë i “famshëm” me deklaratën e tij se PDK i ka numrat, gjë që u demantua në seancën e fundit konstituive ku kandidati për kryetar Arsim Bajrami, nuk arriti që të marrë më shumë se 44 vota, ende thotë se kjo parti i ka numrat. Por, ai nuk tregon se si.

“Ne i kemi numrat. PDK është për një qeverisje stabile dhe të qëndrueshme, të cilën e presin vendime shumë të mëdha”, ka thënë Adem Grabovci. /Gazeta Blic/