Halimi kërkon ndihmën e Shqipërisë dhe Kosovës


E hënë, 11 Nëntor 2013

Lideri i Partisë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës, Riza Halimi, thotë se incidenti i konfiskimit policor të teksteve mësimore në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Zenel Ajdini” dëshmon për gjendjen jonormale në Luginë të Preshevës të karakterizuar me vazhdimin e diskriminimit shtetëror ndaj popullatës shqiptare.

Ky incident, sipas Halimit, edhe kësaj radhe dëshmon për raporte jonormale në mes të pushtetit qendrorë serb dhe udhëheqësve shqiptarë në Luginë të Preshevës, por njëkohësisht tregon se mungon uniteti në veprim i institucioneve që i drejtojnë shqiptarët në këtë rajon.

“Është e njohur se probleme shumë të ndjeshme në fushën e arsimit, posaçërisht problemet me tekstet dhe plan – programet mësimore për shkollat shqipe të Luginës së Preshevës nuk janë zgjidhur me decenie të tëra. Në tri vitet e fundit, Këshilli Nacional i Shqiptarëve, në bazë të kompetencave ligjore por edhe në bazë të Konventës së Këshillit të Evropës, është angazhuar që në bashkëpunim me ministrinë e arsimit të Serbisë t’i zgjidhë këto probleme”, thotë Halimi.

Ai shton se në këtë periudhë u lejua që të përdoren në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës një numër i teksteve mësimore të botuara në Tiranë, sikurse që u siguruan edhe tekste mësimore të autorëve nga Lugina e Preshevës, por edhe përkthime të autorëve të Beogradit.

“Mirëpo, është e qartë se dinamika e gjertanishme e zgjidhjes së kësaj problematike të ndjeshme nuk është aspak e kënaqshme, andaj është e domosdoshme të intensifikohet bashkëpunimi i filluar me ministrinë e arsimit të Shqipërisë, sikur që është më se e domosdoshme të fillojë bashkëpunimi substancial edhe me ministrinë e arsimit të Kosovës”, thekson lideri i PVD-së, Riza Halimi.

Sipas tij, zgjidhja e problemeve shumë të ndjeshme të arsimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës është e domosdoshme me urgjencë të diskutohet dhe zgjidhet në bisedat e filluara me qeverinë e Serbisë, sikur edhe çështja e gjykatave dhe prokurorive publike të Preshevës e Bujanocit të suprimuara me reformën e fundit të sistemit gjyqësor në Serbi dhe të gjitha çështjet tjera të rëndësishme të paraqitura në programin e masave urgjente për zgjidhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Në këtë drejtim, në koordinim adekuat me faktorin ndërkombëtar si dhe me qeverinë e Serbisë mund të na ndihmojnë shumë qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës”, thotë më tej Halimi.

Mirëpo, ai thotë se paraprakisht ishte dashur që faktori politik i shqiptarëve në Luginë të Preshevës t’i eliminojë divergjencat ekzistuese në mes të udhëheqjeve të pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc dhe Këshillit Nacional të Shqiptarëve.

“Njëkohësisht është e domosdoshme që definitivisht disa nga liderët politik ta ndërpresin aplikimin e metodave klandestine, të cilat po i dëmtojnë rëndë interesat vitale të popullatës shqiptare në këtë rajon”, ka thënë në fund Riza Halimi. /Telegrafi/

Etiketa: , ,