Haxhinasto: Liberalizim tregut të transportit me Kosovën dhe Malin e Zi


E shtunë, 7 Maj 2016

Tiranë – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka zhvilluar një takim pune homologët e Kosovës dhe Malit të Zi. Takimi mes Haxhinastos, ministrit kosovar Lutfi Zharku dhe atij të Malit të Zi, Ivan Brajoviç, është zhvilluar në Shkodër dhe vjen në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Parisit, që do të mbahet në 4 korrik.


Në përfundim të takimit, Haxhinasto është shprehur se biseda me homologët e vendve fqinjë ka pasur në fokus masat që 3 vendet duhet të marrin në kuadër të Samitit të Parisit.

“Fokusi ka qenë për masat e buta dhe liberalizimin e tregut të transportit mes vendeve. Me Malin e Zi duhet të përfundojmë disa protokolle për transportin hekurudhor. Po kështu folëm për të aplikuar modelin “one stop shop”, edhe me vendet e tjera të rajonit. Ky model po aplikohet me sukses me Malin e Zi, besojmë se do të marrë edhe mbështetjen e Komisioneres së Transportit, Violeta Bulc, dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn. “One stop shop”, duhet të jetë një procedurë standarde në rajon. Një çështje tjetër që diskutuam ishte edhe Traktatit i Komunitetit të Transportit, që synon liberalizim të shpejt të shërbimeve të transportit. Kemi folur edhe për pasjen e një mekanizmi më të mirë, për të koordinuar punën mes vendeve tona, për të menaxhuar më mirë fondet që vijnë nga investitorë të huaj dhe fondet publike”, tha Haxhinasto.

Ministri i Transportit i Kosovës dhe Malit të Zi vlerësuan këtë nismë si shumë të rëndësishme, pasi nxit edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve dhe afron integrimin në BE. Ministri Brajoviç tha se i ka kërkuar mbështetjen Komisioneres së Transportit, Violeta Bulc, që të përshpejtohen procedurat për fillimin e studimit të përbashkët të fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane.