Henry veçon Konén për Botërorin


E diel, 24 Maj 2026
Henry veçon Konén për Botërorin

Thierry Henry beson se mesfushori i Romës, Manu Koné, mund të jetë një nga emrat surprizë të Francës në Kupën e Botës 2026.

Didier Deschamps ka publikuar listën prej 26 lojtarësh për turneun, ku përfshihen yje si Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe Désiré Doué, ndërsa jashtë kanë mbetur emra si Randal Kolo Muani, Eduardo Camavinga dhe Lucas Chevalier.

Henry, i cili e ka drejtuar Konén te ekipi olimpik i Francës, tha se 24-vjeçari është një lojtar që nuk përmendet shumë, por që mund t’i japë shumë skuadrës.

“Nuk po them se do të ketë patjetër një Botëror të shkëlqyer, por është një lojtar që njerëzit nuk e njohin shumë. Për mua, Manu Koné është aktualisht një nga mesfushorët defensivë më të mirë”, deklaroi Henry.

Sipas tij, Koné është një futbollist shumë solid, i qetë dhe gjithmonë në shërbim të ekipit.

“Ai është tipi i lojtarit që tifozët e duan, sepse jep gjithmonë 100 për qind. Më kujton pak Dirk Kuyt te Liverpooli, jo një yll klasik, por një lojtar që fiton zemrat e tifozëve me atë që jep për skuadrën”, shtoi ish-sulmuesi francez.

Koné, i cili më parë luajti për Toulouse dhe Borussia Mönchengladbach, ka qenë pjesë e rëndësishme e Romës këtë sezon, me 36 paraqitje, ndërsa ka regjistruar edhe 12 ndeshje me kombëtaren franceze.

Henry gjithashtu përmendi Senegalin, Marokun dhe Norvegjinë si ekipe që mund të befasojnë në Botëror, duke theksuar sidomos forcën sulmuese të Norvegjisë me Erling Haaland dhe Alexander Sørloth.

Franca do ta nisë Botërorin më 16 qershor ndaj Senegalit në New Jersey. /GazetaExpress/


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit