E martë, 15 Korrik 2014
RTK
Zv/kryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, thotë se plani i iniciuar nga BE-ja e për të cilin do të diskutohet në takimin e 22 korrikut, parashikon heqjen e barrikadave të vendosura në veri. Ndërkaq, nëse Serbia nuk bindet për heqjen e barrikadave, zyrtarja kosovare tha se do të veprohet me forcën e ligjeve në fuqi.
Kosova dhe Serbia janë merrë vesh për një lloj moratoriumi në punimet që kanë filluar serbët mbi urën e Ibrit dhe së fundi edhe ndërtimin e sheshit `Car Llazari` në këtë pjesë.
Kryenegociatorja në bisedimet me Serbinë, Edita Tahri, në një intervistë për RTK-në tha se në takimin që kanë zhvilluar në Bruksel nuk kanë arritur marrëveshje për largimin e barrikadave, por ekziston një plan i iniciuar nga BE-ja, me të cilin synohet heqja e të gjitha barrikadave në veri. E ky plan, sipas saj, pritet të zbatohet së shpejti, por gjithçka do të sqarohet në takimin e radhës.
“Sic ju kam njoftuar isha ne Bruksel dhe ne takimin shume oresh nuk pati rezultate. Pala serbe nuk ishte e gatshme që të punojë me planin e inicuar nga Ashton, i cili ka të bëj me largimin e tërsishëm të barrikadave. Ne jemi për bashkëpunim dhe kërkojmë projket të kordinuar. Jemi pajtuar që do të ketë moratorium të ketyre veprimeve. Nëse ka kësi veprime do të veprojmë me forcen e ligjit. Kosova ka planin e vetë urbanisitk. Pa u marr leja në ministrinë përkatëse, nuk mund të ketë ndertime as te ura, në asnje komune. Porosia për të gjithë ata në pushtetet komunale. Ftesa e jonë është të respektojnë ligjin”, tha për RTK, Edita Tahiri.
Tahiri thotë se i kanë bërë me dije në Bruksel Serbisë, se janë për t`i dhënë shanse të tjera dialogut, por në rast të sabotimit nga ana e Serbisë, Qeveria e Kosovës do të veprojë me forcën e ligjeve në fuqi që ka shteti i Kosovës.
“ Ne ja bëmë me dije se do ti japim shans dialogut, por nëse do të ketë nga ana Serbisë sabotime rreth planit, qeveria e Kosovës do të marr masa konform ligjeve të Kosovës. Kemi kerkuar nga BE-ja për të hetuar se kush i shtyen serbët të veprojnë kështu për ta destabilizur vendin tonë. Por të gjitha këto, tregojnë se është urgjent plani për tërheqjen e barrikadave në veri”, pohoi Tahiri.
Delegacionet nga Kosova dhe Serbia do të takohen sërish në Bruksel më 22 korrik për të diskutuar situatën e krijuar në veri, me ndërtimet që po bllokojnë lëvizjen e lirë.