Hoti: Rritja ekonomike në Kosovë – më e larta në rajon


E diel, 24 Prill 2016

Pavarësisht sfidave të brendshme politike dhe pasigurisë së jashtme ekonomike që karakterizuan vitin 2015, ekonomia e Kosovës është rritur me 3.6 për qind që është rritja më e lartë në rajon.

Treguesit kryesorë ekonomik sugjerojnë se ekonomia e Kosovës është vendosur në një trend afatgjatë të rritjes, pasi rritja po vjen nga sektori privat dhe nga prodhimi.

Kështu ka thënë Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili potencoi se ndryshe nga vitet e mëparshme, ku konsumi ka qenë nxitësi kryesor i rritjes, gjatë vitit 2015 rritja ka ardhur në veçanti nga investimet private të nxitura nga MSA dhe politika tatimore.

“Investimet e jashtme gjatë vitit 2015 kanë qenë mbi 320 milion euro, krahasuar me 151 milion euro gjatë vitit 2014”, ka thënë Hoti.

Më tej, ministri ka thënë se kreditimi i sektorit privat ka pasur rritjen më të lartë në tri vitet e fundit, me një rritje vjetore prej 7.5 për qind. Ndërkaq, sipas tij, norma e interesit për kredi ka rënë në rreth 7 për qind, krahasuar me 10 për qind sa ka qenë një vit më parë.

Kreditë e këqija, sipas Ministrit të Financave, kanë rënë nën 6 për qind, krahasuar me mbi 8 për qind sa kanë qenë një vit më parë.

“Pavarësisht kësaj, disbalancet në tregtinë e jashtme vazhdojë të mbeten sfidë për ekonominë tonë. Deficiti tregtar i lartë është i paracaktuar nga baza eksportet e ulëta dhe të koncentruar, ndërsa importet kryesisht përbëhen nga mallrat e konsumit të cilat mund të zëvendësohen nga prodhimi vendas”, ka thënë Hoti.

Në fund, ministri Hoti ka përmendur edhe disa masa fillestare të cilat tha se janë vënë në vend për të adresuar këtë sfidë afatgjatë për ekonominë tonë.

Këto masa përfshijnë:

(i) skemën për garantimin e kredive që tani është themeluar, e cila do të ulë rrezikun për bankat dhe si rezultat bankat do të lëshojnë më shumë kredi dhe me kushte më të volitshme;

(ii) mbajtja e subvencioneve të larta në bujqësi për të mundësuar rritjen e prodhimit vendor dhe rrjedhimisht uljen e importit të madh të produkteve bujqësore;

(iii) zgjerimin e listës së imputove që lirohen nga TVSH dhe dogana me rastin e importit dhe koncentrimi në sektorë konkurrues.

Etiketa: ,