Hoxhaj: Synojmë OKB-në


E martë, 23 Korrik 2013

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një editorial të botuar në The Huffington Post, edicioni i Kanadasë, ka falënderuar shtetin kanadez për përkrahjen e dhënë për shtetin më të ri në Evropë dhe anëtarin më të ri të familjes botërore.

Në këtë kontekst, vizitën e tij në Kanada, e cila fillon sot, Hoxhaj e ka vlerësuar të rëndësishme edhe për faktin se përkon me përvjetorin e tretë të opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit, deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkelur asnjë ligj ndërkombëtar.

Hoxhaj po ashtu flet për njohjen e Kosovës nga më shumë se gjysma e 193 shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

“Objektivi ynë është njohja universale dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara”, shprehet Hoxhaj.

Lidhur me dialogun me Serbinë, ministri i Jashtëm i Kosovës thekson se pas marrëveshjes së arritur në Bruksel, Serbia “de fakto” ka pranuar ekzistencën politike të Kosovës, ka pranuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe po ashtu ka pranuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Ai po ashtu thotë se ky zinxhir ngjarjesh së fundmi ka rezultuar me fillimin e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, e cila mundëson vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

“Vendimi i GJND-së ka eliminuar disa nga barrierat më problematike për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan, por edhe më shumë ka nevojë të bëhet. Sot nuk ekzistojnë më arsye për shtetet të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Ne kërkojmë që ato ta bëjnë një hap të tillë, në mënyrë që të fuqizohet integrimi euroatlantik i rajonit tonë, mbi një bazë të qëndrueshme të paqes dhe demokracisë”, ka thënë ministri Hoxhaj, në editorialin e botuar në The Huffington Post.

Etiketa: , ,