HRW: Të themelohet Gjykata dhe të mbrohen dëshmitarët


E martë, 4 Gusht 2015

hrw

Human Right Watch e ka përgëzuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, për miratimin e ligjeve për themelimin e dhomave speciale dhe prokurorit special dhe ka kërkuar edhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

Human Right Watch, përveç që e ka përgëzuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, për miratimin e ligjeve për themelimin e dhomave speciale dhe prokurorit special, në një komunikatë tjetër ka kërkuar edhe mbrojtjen e dëshmitarëve të cilët do të jenë pjesë e procesit të gjykimit të personave që kjo Gjykatë pritet t’i gjykojë
Ky është njoftimi i plotë i HRW’së:

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian, duhet që menjëherë ta ngritin edhe programin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Qeveria, Kuvendi ka miratuar amandamentet kushtetuese, duke hapur kështu rrugë për formimin e gjykatës, e më pas është aprovuar edhe ligji për formimin e dhomave speciale dhe prokurorit special, si dhe ai për mbrojtjen juridike dhe financiare të të akuzuarve.

Gjykata do të operojë me ligje të Kosovës, por për të siguruar gjykim të drejtë dhe të paanshëm ajo do të vendoset jashtë vendit dhe do të ketë gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Qeveria e Kosovës dhe ligjvënësit e saj kanë marrë vendimin e duhur për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka thënë Lotte Reicht, drejtor në Human Rights Watch. “Tani është e rëndësishme të ndërmerret hapi i ardhshëm dhe të ngritët gjykata, në mënyrë që dyshimet për krime serioze të adresohen në një trupë të paanshme dhe të sigurt”, ka shtuar ai.

Në mënyrë që gjykata të jetë kredibile, e fortë, është e nevojshme mbrojtja ndërkombëtare e dëshmitarëve. Gjykimi i mëhershëm i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa mbrojtje të dëshmitarëve ka çuar në kanosjen dhe vdekjen e shumë prej tyre.

Gjykata do t’i trajtojë rastet e përfshira në raportin e senatorit zviceran Dick Marty, të publikuar në vitin 2010, në të cilin flitet për trafikim të organeve të civilëve, keqtrajtime, tortura, rrahje në territorin shqiptar pas luftës së fundit në Kosovë.

Në vitin 2011, Bashkimi Europian pati ngritur një task forcë të quajtur Task Forca Speciale Hetuese, për ti hetuar të thënat në raportin e Dick Marty’t. Gjatë këtyre hulumtimeve, prokurori Williamson pati konstatuar se ka mjaft prova kundër disa ish-udhëheqësve seniorë të UÇK’së, të cilët thuhet se kanë organizuar një kampanjë, persekutimesh, arrestimesh ilegale, vrasje dhe dhunë seksuale. Sipas raportit, pjesa më e madhe e viktimave i takonin komuniteteve minoritare si serbë, romë etj, por gjithashtu kishte edhe shqiptarë të Kosovës të cilët konsideroheshin që kanë bashkëpunuar me serbët e shpesh edhe kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK’së.

Wiliamson pati deklaruar se gjetjet e tij përputheshin me gjetjet në raportin e Dick Marty’t, duke përfshirë një sasi të vogël provash për trafikim organesh. Provat për të tjerat krime të pretenduara do të publikoheshin pas formimit të gjykatës speciale, pati thënë ai.

Në maj të vitit 2015, prokuror udhëheqës i task forcës ishte caktuar David Schwendiman.

E gjitha që i mbetej Kosovës, ishte ta formonte Gjykatën Speciale në mënyrë që task forca të mund t’i adresonte gjetjet.