“Ikja e Jakupit”, për Thaçin, kompensohet me prurje të reja


E enjte, 20 Qershor 2013

Në zgjedhjet lokale që do të organizohen në veriun e Kosovës, në bazë të marrëveshjes Kosovë–Serbi, për herë të parë nuk do të kenë të drejtë të garojnë partitë serbe nga Serbia, por vetëm partitë serbe që përfaqësojnë serbët e Kosovës. Ky është zotimi i kryeministrit Hashim Thaci dhënë ekskluzivisht për “Top-Channel”. Ai bëri të qartë se asnjë parti që nuk certifikohet nga KQZ-ja nuk do të mund të zhvillojë aktivitete brenda kufijve të Kosovës.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes, ai deklaroi se ajo sa ka nisur të zbatohet në terren dhe beson se dalëngadalë, qytetarët serbë të Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve nga zërat në Beograd dhe Prishtinë, do t’i binden realitetit.

Duke komentuar arrestimet e fundit të ish-komandantëve dhe ish-ushtarëve të UÇK-së, Thaçi u shpreh i bindur në pafajësinë e bashkëluftëtarëve të tij. “Drejtësia do të japë vendimin më të cilin edhe një herë do ta vulosë luftën e pastër të UÇK-së”, tha kryeministri, i cili bëri të ditur se në të ardhmen e afërt Kosova do të hapë gjykatën e saj speciale, e cila do të merret me krimet e luftës. Duke komentuar zërat kundër brenda PDK-së, veçmas mundësinë e largimit të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, kryeministri tha se partia që ai drejton është në përparim e sipër të prurjeve të reja, duke lënë të kuptohet se edhe në rast të largimit të Krasniqit, partia e tij sërish do të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme.