Ikja nga kurthi


E premte, 22 Qershor 2018

Autor: Albert BERISHA

Shqiptarët janë ndër popujt që në njëfarë forme janë të dënuar për tu shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës.

Shumica për shkak të presionit politik nga ana e armiqve e një pjesë tjetër për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike që e ka përcjellë këtë popull në vazhdimësi. Jemi nga ata popuj që kanë më shumë njerëz të etnisë që jetojnë jashtë kufijve të trojeve etnike sesa brenda tyre .

Më kujtohet një aforizëm e profetit Muhamed që është si përkujtim për mërgimtarët të cilët gëzojnë të drejta të barabarta në vendet ku jetojnë: “Besimtari do të vazhdojë të ketë hapësira dhe liri në Fenë e tij për sa kohë që ai nuk derdh atë gjak të cilin e ka të ndaluar (haram).”

Diaspora shqiptare tanimë nuk është e përbërë nga njerëz që janë thjeshtë punëtorë krahu e as e përbërë nga njerëz që kanë marrë rrugën e krimit të organizuar duke na e qitë faqen e zezë nëpër Evropë e Amerikë e gjithandej.

Sot diaspora shqiptare përbëhet nga njerëz të suksesshëm , nga njerëz që janë yje të artit, të filmit e muzikës dhe nga sportist të dalluar posaçërisht në sporte luftarake – gjë që shkon për shtati me mentalitetin luftarak të shqiptarëve. Ndonëse në vendet e origjinës ne si popull nuk jemi aq të shquar për suksese në sporte kolektive, krejt e kundërta po ndodhë në vendet e Europës ku jetojnë shqiptarët .

Shembull i mirë është ekipi përfaqësues i Zvicrës në futboll, i cili nuk mund të paramendohet pa shqiptarët e tij. Sytë tanë janë të drejtuar nga i vetmi ekip që po na përfaqëson denjësisht në këtë kampionat botëror që po mbahet në Rusi, në një vend aspak miqësor ndaj shqiptarëve përgjatë historisë e posaçërisht në këto kohë. Për më tepër ekipi që Zvicra do të përballet së shpejti është pikërisht shteti më armiqësor ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti , e po ashtu shteti më armiqësor ndaj myslimanëve në Ballkan në përgjithësi Serbia.

Dhe natyrisht duke e njohur mentalitetin e tyre të viktimës, duke e njohur politikën e tyre të ndërtuar mbi bazën e kurtheve dhe konspiracioneve , thjeshtë e kam një përshtypje që Serbia nuk do ta humb këtë rast për të drejtuar gishtin ndaj shqiptarëve dhe ndaj myslimanëve. Argumenti i tyre se po ballafaqohen me fenomenin e “shiptarski terorizam” është një argument që ata nuk do të hezitojmë ta përdorin në çdo rrethanë e posaçërisht tani kur insinuatat e tilla po i ha pazari.

Andaj nuk çuditem fare që agjenturat serbe dhe ato ruse si nikoqire do të bëjnë çmos për të sajuar ndonjë komplot apo do të investojnë shumëçka vetëm të gjejnë ndonjë “ekstremist të ISIS të etnisë shqiptare“ që do të bëj apo do të përpiqet të bëj ndonjë sulm ndaj kombëtares apo tifozëve serb. Nuk çuditem po ashtu që do të ketë një plejadë të tërë të ekspertëve ë sigurisë serbe dhe media e politikanë që do të bëjnë çmos që një gjë e tillë të ndodhë.

Dhe nuk e kanë dert ata pse mund të dëmtohen vet shtetasit e tyre, rasti “Dolce Vita “ në Pejë është kujtim ende i freskët tek ne se sa larg mund të shkojnë agjentët serbë në sajimin e situatave për ta ndërtuar imazhin e viktimës e duke mos e kursyer as vet popullin serb.

Të rinjtë tanë që jetojnë në diasporë janë të gjeneratës së tretë, pra të lindur e rritur në ato vende, të brumosur brenda mentalitetit perëndimor dhe mënyrës së tyre të jetës, e njëkohësisht të sforcuar në njëfarë mënyre nga prindërit dhe gjeneratat më të vjetra që të ruajnë identitetin burimor etnik e fetar dhe dashurinë e tyre ndaj atdheut, rrjedhimisht ndodhen disi në mes të dy identiteteve. Dhe kur je në mes të dy identiteteve je në një krizë identiteti .

Nëse marrim parasysh trendet globale të përhapjes së ideologjive dhe lëvizjeve ekstremiste, proliferimin e sulmeve terroriste, padyshim se të rinjtë tanë që jetojnë në diasporë , larg vendit të tyre të origjinës , në mes të dy zjarreve dhe në mungesë të informacionit në gjuhën e tyre janë një pre e lehtë për t’u infektuar me ideologji devijante dhe për t’u rekrutuar nga grupet ekstremiste .

Kujtojmë se të rinjtë tanë naivë kanë qenë protagonistë të disa nga sulmet terroriste nëpër Evropë e SHBA më shumë si viktima të konspiracioneve e të ideologjisë sesa si njerëz të bindur plotësisht në atë që e bënë.

Kujtojmë këtu rastin e Arid Ukës në Gjermani , vëllezërit Duka në SHBA , përpjekjet për hedhjen në erë të urës në Venecia apo muhabetet idiote për vrasjen e papës dhe së fundmi sulmet kibernetike nga një student shqiptar në Malajzi .
Të rikujtojmë se disa nga të rinjtë tanë që jetojnë në anë të ndryshme të globit padyshim se janë të infektuar nga ideologjitë përjashtuese, ato që predikojnë anatemim të muslimanëve dhe besimtarëve nga Islami me qëllim që të monopolizojnë Islamin dhe të drejtën .

Për të tillë persona vlenë thënia e Profetit (sal-Allahu alejhi ues-selem), nga hadithi i Hudhejfes (radij-Allahu anhu): ”Vërtet asaj që i frikësohem më tepër për ju është një person që do ta lexojë Kur’anin aq sa do të duket bukuria dhe mirësia e Kur’anit mbi këtë person. Ai do të jetë shkatërrim për Islamin. Ai do ta flakë atë dhe do ta hedhë pas shpine. Ai do të luftojë kundra komshiut të vet me shpatë dhe do ta akuzojë atë për Shirk.” Unë thashë: ”O Profet i Allahut, kush më tepër prej tyre meriton që të akuzohet për Shirk, ai që bën akuzën, apo ai që po akuzohet me të?” Ai tha: ”Padyshim që ai që po bën akuzën.”

Fenomeni në fjalë duhet të na shqetësojnë neve si shoqëri dhe si komunitet mysliman që të kujdesemi për vëllezërit që jetojnë në diasporë në mënyrë që ata të mos bijnë viktima të organizatave dhe ideologjive ekstremiste e as viktima të konspiracioneve të shërbimeve sekrete të vendeve armike.

Marrë parasysh që qeveria e Kosovës organizon ngjarje e aktivitete për nder të diasporës siç është java e diasporës më shumë me qëllimin që të vjelin nga ta para e shumë më pak që të investojnë tek ta apo në edukimin e të rinjve të tyre, na bie radha neve si komunitet i myslimanëve dhe mbase edhe mua si i burgosur që të përpiqemi të ngritim zërin dhe të tërheqim vërejtjen ndaj këtij rreziku të dyfishtë që po u kanoset të rinjve tanë në diasporë .

Duhet të bëjmë çmos që të rinjtë tanë t’i ruajmë nga radikalizmi dhe nga kurthet e organizatave terroriste dhe shërbimeve sekrete që synojnë të gjejnë viktima potenciale duke ua dhënë atyre ndjenjën e heronjve të Islamit dhe mbrojtësve të muslimanëve, për t’i akuzuar më pastaj si terroristë të pashpirtë dhe shqiptarët si popull gjenetikisht i gatshëm për të bërë shkatërrime, kurse Kosovën si vatër të prodhimit të ekstremizmit .

Asnjë ama asnjë nga sulmet që janë përfshirë shqiptarët në të kaluarën nuk i ka sjellë asnjë të mirë as Islamit , as myslimanëve , as shqiptarëve , as Kosovës e Shqipërisë e absolutisht as njerëzimit .
Prandaj nga qelia e burgut me sinqeritetin më të madh , nga thellësia e zemrës sime , i pushtuar nga pikëllimi e dëshpërimi ju bëj thirrje të gjithë të rinjve tanë që të kenë kujdes maksimal që të mos bëhen viktima , të mos bëhen karrem i armiqve tanë.

Mos ua plotësoni atyre agjendat , mos ua konfirmoni pretendimet , mos ua kënaqni zemrën. Keni kujdes.
Asnjë sulm terrorist ndaj civilëve të zakonshëm, sportistëve a kujtdo qoftë nuk i bën kurrfarë shërbimi Islamit .

Por e dëmton Islamin dhe myslimanët . I dëmton shqiptarët dhe Kosovën. E forcon Serbinë e Rusinë dhe propagandën e tyre për të na paraqitur neve si monstra.

Lexoni për Islam prej burimeve të sakta të Islamit, lexoni Kuranin dhe hadithet e sakta. Lexoni e mendoni shqip në mënyrë kritike. Të tregohemi të mençur, të tregohemi të matur , tu’a dërmojmë atyre propagandën, t’ua shkatërrojmë ëndrrat dhe mitet e tyre mbi “terroristët shqiptarë” nga imagjinata e tyre e errët.

Në fund një përkujtim nga Fjala e Allahut që duhet të jetë udhërrëfim për qdo besimtar i cili Kuranin e ka mënyrë të jetës dhe pikë referimi .

“Për shkak të kësaj, Ne urdhëruam për Bijtë e Ismailit që, nëse ndokush vriste dikë jo për shpagim vrasjeje apo për krime në tokë, do të ishte sikur të kishte vrarë krejt njerëzimin. Nga ana tjetër, nëse ndokush shpëton një jetë, do të ishte sikur të kishte shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit.” Maide, 5:32 “A e vrave ti një njeri të pafajshëm i cili s’ka vrarë asnjë? Vërtet që ke bërë një gjë të shëmtuar!” Kehf, 18:74.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: