“Imponimi kolonialist” i Francës ndaj muslimanëve


E shtunë, 20 Gusht 2016

france

Dëshira e qeverisë franceze për ta reformuar islamin “përmes metodave të shtetit” dhe për ta marrë nën kontroll atë pas sulmit terrorist që u organizua në një kishë në veri të Francës, është pritur me reagime nga ana e muslimanëve në këtë vend.

Qeveria socialiste e François Holland, pas sulmit që shënjestroi një kishë në afërsi të qytetit Rouen, pa u konsultuar me muslimanët ka shprehur dëshirën për ta futur në zbatim projektin “Reformimi i Islamit në Francë”, që paraprakisht ishte sjellë në rend dite gjatë presidencës së Nocolas Sarkozy me pikëpamje politike të djathta, ndërkohë që fakti i tillë po perceptohet nga më shumë se pesë milionë muslimanët në vend si “imponim kolonialist”.

Pas sulmit të cilin e mori përsipër DAESH-i, kryeministri i Francës Manuel Valls, i cili shkroi një artikull në gazetën Journal du Dimanche ku se thekson se “Franca është e gatshme ta rindërtojë Islamin”, është njëri nga partizanët më të flaktë të këtij projekti. Për më tepër, në reportazhin që e kishte dhënë për gazetën Liberation në fillim të muajit, Valls ka theksuar se ndihmat financiare që vijnë nga jashtë për xhamitë në Francë mund të ndërpriten për një kohë të pacaktuar. Ai kishte pohuar se “Shteti dhe institucionet publike kanë rol kyç në rregullimin e Islamit”.

Disa ditë pas deklaratës së Valls, ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, u takua me Këshillin Islam të Francës, takim pas të cilit u shpreh se do të rigjallërohet “Fondacioni Islam i Francës” që synon të shërbejë në rregullimin e aktiviteteve shoqërore të xhamive dhe muslimanëve në Francë.

Në krye të fondacionit i cili ishte themeluar me emër të ngjashëm gjatë presidencës së Jacques Chirac në vitin 2005 dhe i cili pas një kohe të shkurtër u braktis në duar të fatit, me kërkesë të presidentit Hollande pritet të emërohet Jean-Pierre Chevenement, i cili kishte zbatuar detyra në pozita të ndryshme të qeverisë, përfshirë atë të Ministrit të Brendshëm në qeverinë e 27-të.

Bilal Muftuoglu