Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Inaugurohet Dhoma e Tregtisë, Ekonomisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi

Prizren Post | 20:15 - 09.12.2015

Tiranë – Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Ekonomisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, Vladimir Cuka u shpreh se ky institucion do të shërbejë si një urë lidhëse mes bizneseve të të dyja vendeve.


Është inauguruar sot në Tiranë Dhoma e Tregtisë, Ekonomisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, me anë të një ceremonie të zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit nga të dy vendet, diplomatëve të akredituar në vend, etj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimet e mbajtur në këtë aktivitet drejtuesit e saj kanë deklaruar se krijimi i këtij institucioni do të shërbeje dhe ndikojë për forcimin e bashkëpunimit rajonal në tërësi, dhe veçanërisht mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Ekonomisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, Vladimir Cuka, u shpreh se inaugurimi, por edhe aktiviteti i institucionit që ai drejton do të sjellë vendime shumë të rëndësishme të cilat do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë.

“Interesi jonë është që të forcojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit rajonal, sidomos fushën ekonomike me interesa reciproke. Resurset turistike të Shqipërisë kanë interes për biznesmenët që duan të investojnë në Shqipëri dhe veçanërisht për biznesin serb. Jemi të bindur se misioni i këtij institucioni ekonomik do të jetë një promotor pozitiv i finalizimit të shumë projekteve ekonomike dhe me interes për të dy vendet tona”- u shpreh Cuka.

Kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka u shpreh se Dhoma e Tregtisë së Serbisë ka këmbëngulur që sipërmarrja serbe të jetë e pranishme në Shqipëri. “Dhomat e rajonit në kuadër të konferencës së Berlinit kanë krijuar edhe unionin e dhomave rajonale ku pjesë është edhe Shqipëria dhe Serbia, si dhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina. Kjo për të bërë të mundur që ky rajon të bashkohet në projekte ekonomike dhe qarkullimin tregtar duke lënë mënjanë çdo lloj paragjykimi”.

Ndërkohë në një prononcim për AA, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Ekonomisë dhe Industrisë Shqipëri-Serbi, Vladimir Cuka u shpreh se ky institucion do të shërbejë si një urë lidhëse mes bizneseve të të dyja vendeve dhe sipas tij do të jetë një siguri dhe garanci me shumë në marrëdhëniet mes biznesit për të dy vendet.

Ndërsa njëri prej përfaqësuesve të biznesit serb, i pranishëm në këtë ceremoni, Ivan Petroviç u shpreh për AA se ky institucion do të shërbejë për rritjen e bashkëpunimit dhe intensifikimin e lidhjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe biznesit mes dy vdeneve.


Arivisti Company