Investo në ujë për prishtinasit, e jo në autostrada!


E martë, 4 Shkurt 2014

Prishtinë, 4 shkurt – Gjatë ditës së sotme, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka dërguar Letër të hapur kryeministrit Hashim Thaçi në lidhje me furnizimin me ujë të qytetarëve të Komunës së Prishtinës.

Kjo letër, sipas Komunës së Prishtinës, vjen pas një serie të takimeve të punës të bëra me Ujësjellësin Rajonal të Prishtinës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, si dhe me donatorë e përfaqësues diplomatik, vendet e të cilëve kanë investuar në këtë sektor.

Në vijim, ju sjellim letrën e plotë të kryetarit Ahmeti drejtuar kryeministrit Thaçi:

“I nderuari kryeministër Thaçi,

Javëve të fundit sigurisht se jeni informuar për gjendjen e furnizimit me ujë të pijshëm në regjionin e Prishtinës nga Kompania e Ujësjellësit Regjional që është nën kompetencat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Natyrisht, gjendja nuk është alarmante vetëm javët e fundit kur vendi po ballafaqohet me thatësira dhe mungesë të të reshurave, por është një gjendje që mbizotëron në regjionin e Prishtinës që një kohë të gjatë e që është përkeqësuar muajt e fundit.

Fatkeqësisht, kjo gjendje nuk është e krijuar vetëm për shkak të nivelit të reshjeve por edhe për shkak të menaxhimit të dobët, mungesës së koordinimit dhe komunikimit të mirëfilltë të palëve, keqpërdorimit të ujit nga persona juridik e fizik, e deri te planifikimi i dobët i resurseve ujore në regjioni tonë. Si pasojë, qytetarët e komunave që furnizohen nga Kompania e Ujësjellësit Regjional Prishtina e më së shumti qytetarët e Komunës së Prishtinës ballafaqohen me reduktime të përditshme të ujit, pa arsyetimin e qëndrueshëm të efekteve të këtyre reduktimeve në ruajtjen e nivelit të ujit.

Përderisa jemi pjesëmarrës në investimet që po bëhen me Bankën Zhvillimore Gjermane, KfW në bashkëpunim me Qeverinë dhe Komunën e Prishtinës, vlerësimi i përgjithshëm është se këto investime nuk do ta zgjidhin problemin e furnizimit me ujë. Kjo nuk është vetëm për shkak të vonesave të ndryshme, por më së shumti për shkak të mungesës së vullnetit politik që kjo çështje të shtrohet si prioritet jo vetëm financiar por edhe politik. Po e them edhe politik duke ditur faktin se nevojat për investime në këtë sektor për ta zgjidhur problemin e furnizimit në Komunën tonë janë minimale në krahasim me investimet që Qeveria i ka paraparë për autostrada të reja apo për investime në fusha të tjera që në krahasim me ujin duken me të vërtetë të parëndësishme.

Vetëm muajin e fundit kemi identifikuar mundësi të investimeve në burime të reja për ta ruajtur nivelin, kemi identifikuar probleme të qeverisjes shumëvjeçare të kompanisë publike e që më së shumti vjen nga mungesa e koordinimit të nivelit qendror e lokal, e deri te studimet e detajuara për furnizimin e pjesëve të ndryshme të qytetit.

Kjo në kombinim me situatat e përvitshme emergjente kur na krijohet një situatë publike e mungesës së ujit dhe si pasojë kemi qytetarët e frikësuar se mund të mbesin pa ujë na sjellin në konkluzion së për Qeverinë e Republikës së Kosovës uji nuk është i rëndësishëm.

Së fundmi, paralajmërimet e Ujësjellësit për reduktime të reja pa arsyetim të mirëfilltë, e pa diskutim të sinqertë të të gjithë palëve i lënë qytetarët e Prishtinës, paguesit më të mëdhenj të faturave, dhe tatimpaguesit më të rregullt duke menduar për rolin e shtetit dhe obligimet që ata kanë ndaj shtetit të tyre.

Ne si Komunë e Prishtinës, kemi ndërmarr të gjitha hapat që të marrim përsipër të gjitha përgjegjësitë për t’u marrë seriozisht me problemin e ujit në Prishtinë, si në aspektin analitik, atë të burimeve njerëzore e deri të zotimet financiare. Por, këto kërkojnë zotim serioz dhe vullnet politik nga qeveria e Republikës së Kosovës që uji të konsiderohet prioritet. Në fund të fundit, ne nuk mund të vazhdojmë në zotime të reja nga Komuna në qoftë se nuk kemi një plan të qartë të veprimit të ujësjellësit si dhe mbikëqyrje profesionale të investimeve dhe menaxhimit të kompanive”, përfundon letra e kryetarit të Komunës së Prishtinës drejtuar kryeministrit.

Etiketa: ,