Ish-gjenerali i NATO-s: Bombardimi i Serbisë ishte mesazh për Rusinë


E martë, 20 Qershor 2017

Përveç kësaj, Di Grazia madje bën një paralele në mes të bombardimit të Serbisë dhe hedhjen e bombës atomike në Nagasaki.

“Kjo ishte luftë eksperimentale e NATO-s e cila i ka shërbyer, përveç tjerash, të trajnojnë aviacionin e vet në sulm ku kishte disproporcion në mes atij që sulmon dhe atij i cili “mbrohet”, thotë Di Grazia.

Ai këtë e ka thënë në intervistë për gazetën serbe Politika, me rastin e publikimit të librit të tij “Përse NATO bombardoi Serbinë”, në të cilin e ka “përshkruar eksperiencën e tij nga shërbimi”, transmeton Gazetametro.net.

Duke komentuar paralelen e bombardimit të Serbisë dhe bombës atomike në Nagasaki, Di Grazia thotë se “nëse bomba atomike është gjuajtur në Hiroshimë pjesërisht mund të kuptohet si aksion ushtarak, por ajo e dyta, e gjuajtur në Nagasaki, në momentin kur Japonia ishte e gatshme për kapitullim, ka shënuar fillimin e Luftës së Ftohtë dhe ishte porosia e SHBA për Bashkimin Sovjetik”.

“Ndërsa bombardimi i Serbisë, i dërgoi porosi Rusisë për atë se kush është fitues në Luftën e Ftohtë”, ka thënë ai.

Në konstatimin se bombardimi i Ambasadës kineze “interpretohet si paralajmërim i atëhershëm i Perëndimin për Kinën”, Di Grazia thekson se ky është përfundimi i tij personal, ashtu si mendimi i tij për rastin e Reçakut.

Ushtaraku italian në librin e tij kontrovers, spekulon kinse edhe Reçaku ishte i montuar, dhe se atje nuk kishte ndodhur masakër e vërtetë.

“Disa ditë pas “rastit” të Reçakut takova një koleg, një oficer italian i cili ishte në shërbim si verifikues i OSBE’s, the ai më tha: “Biagio, nuk është si po tregojnë në televizion. E njoftova shefin e Misionit (William Walker). Ai ishte i pari në vendin e ngjarjes dhe nuk i ka gjetur ato pamje të cilat më vonë i transmetuan mediet. Por, pasi që e ka dërguar raportin shefit të misionit, asgjë nuk ndodhi”, më ka thënë ai, vazhdon Biagio, në reklamimin e librit të vet në Serbi.

Ai, gjithashtu, thotë se është i bindur se “shqiptarët janë të lumtur” për atë çfarë ka ndodhur në Reçak, duke mos përmendur se pikërisht masakra e Reçakut ishte një nga akuzat kryesore të vërtetuara në Gjykatën ndërkombëtare për krime të luftës në Hagë, për shkak të cilës janë dënuar shumë kriminelë serbë e në mes tjerash edhe zëvendëskryeministri i Jugosllavisë së atëhershme Nikola Sahinovic.

Etiketa: ,