Ismaili: Do të jemi pranë nënave dhe fëmijëve edhe përmes vizitave në shtëpi


E enjte, 4 Tetor 2018

Gjilan – Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në takimin me infermierët që realizojnë vizitat në shtëpi për nëna dhe fëmijë ofroi mbështetjen e tij për rritjen e këtij programi.

Ismaili në takimin e rregullt i infermierëve që u mbajt në Gjilan, tha se që nga fillimi i mandatit të tij ky projekt ka qenë një ndër të cilët e ka bindur se duhet të përkrahet dhe të rritet edhe më tutje.

“Unë do të jem i gatshëm që të ofroj gjithë mbështetjen time që këto vizita në shtëpi për nëna dhe fëmijë të zhvillohen dhe të rriten akoma. Nënat dhe fëmijët nuk kanë askënd më shumë sesa ju. Prandaj, ne e vlerësojmë punën e palodhshme që ju e bëni dhe ndihmën që ua bëni nënave dhe fëmijëve, dhe kërkojmë nga ju që të mbani dinamikën për të ofruar këto shërbime”, tha ministri Ismaili.

Ismaili tha se do të diskutoj edhe me kryetarët e komunave që këto vizita të mos lejohet të bien në numër, por të rriten edhe në vëllim dhe cilësi.

“Unë do t’u shkruaj edhe kryetarëve të komunave për ofruar mbështetjen e këtij projekti. Mos e lejoni që të dështojë ky projekt, sepse nënat dhe fëmijët kanë nevojë për ju. E pranë jush do të jemi ne”, shtoi ai.

Gjatë këtij viti janë realizuar 7936 vizita në shtëpi. Këto vizita aktualisht zhvillohen në 14 komuna, Prizren, Dragash, Gjakovë, Fushë-Kosovë, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Viti, Shtime, Dardanë, Kacanik dhe Hani i Elezit.

Deri në fund të vitit 2018 nga këto vizita pritet të përfitojnë edhe Drenasi, Vushtrria dhe Skënderaj.

Etiketa: , , ,