Ivanoviq: Serbia mund të dëmtojë procesin demokratik të zgjedhjeve


E enjte, 10 Tetor 2013

Mitrovicë, 10 tetor – Oliver Ivanoviq ua ka tërhequr vërejtjen qeveritarëve të Serbisë që të mos ia mbajnë anën “Iniciativës Qytetare Serbe”, duke konstatuar se kështu do të bëjnë veç dëm. Ai është Kandidat për kryetar të Komunës së Veriut të Mitrovicës dhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit garon me “Iniciativën Qytetare, Serbia, Demokracia, Drejtësia”.

Ivanoviq i tha Lajmit se deklarimi i kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, në favor “Listës Serbe”, mund ta dëmtojë procesin demokratik zgjedhor dhe të krijojë përçarje në mes të serbëve në Kosovë.

“Qeveria e Serbisë mund të dëmtojë procesin demokratik të zgjedhjeve, nëse vazhdon të veprojë siç është duke bërë tani, pasi që momentalisht ajo është duke e përkrahur një subjekt politik”, tha ai.

“Zyrtarët serbë nuk duhet të mbështesin një subjekt politik. Ata mund ta mbështesin procesin zgjedhor si tërësi, por jo të kenë anim politik. Një anim i tillë mund të krijojë incidente në mes të subjekteve politike të cilat garojnë në këto zgjedhje. Ndërsa, do të ishte më mirë që ne të gjithë së bashku të jemi kundër atyre që janë kundër zgjedhjeve”, theksoi ai.

Ivanoviq thotë se fushata zgjedhore nga kundër-kandidatët e tij në veri ka marrë drejtimin e gabuar. Një fushatë e tillë e premtimeve të vendeve të punës dhe përfitimeve tjera, sipas tij, është e padobishme.

“Unë jam kundër fushatës që është duke u bërë tani, kundër premtimeve për vende të pune, për dhurim të miellit, grurit dhe çfarëdo që janë ato. Ky është një drejtim i gabuar. Premtime të tilla nuk kanë të bëjnë në zgjedhjen e ideve dhe njerëzve më të mirë, por për atë se kush do të dhurojë më shumë. Kjo nuk është demokraci. Mendoj se premtime të tilla do t’u kthehen si një bumerang këtyre subjekteve”, tha ai.

Ivanoviq, familja e të cilit muajin e kaluar ka qenë shënjestër e një sulmi, i ka bërë thirrje Qeverisë në Beograd që të jetë e unifikuar me partitë që garojnë në zgjedhjet lokale dhe t’i luftojë grupet serbe që janë kundër procesit zgjedhor.

Ai pohon se në veri të Kosovës ka grupe që paguhen nga persona të caktuar për të penguar subjektet politike serbe të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Unë nuk mund t’u kundërpërgjigjem i vetëm atyre, por më duhet mbështetje nga Qeveria e Serbisë që t’i largojmë manipulimet e këtyre grupeve. Financues të këtyre grupeve mund të jenë ata persona që kanë përfituar nga situata e krijuar gjatë këtyre 14 vjetëve. Këta janë njerëz që janë të organizuar mirë në pjesën veriore të Kosovës. Atyre nuk u intereson që të kenë një qytet më të mire. Ata janë të interesuar që të kenë një situatë siç është kjo aktuale. Ata nuk dëshirojnë që të ketë ndonjë formë të rendit në këtë pjesë”, theksoi ai.

Lidhur me protestat e planifikuara që të mbahen te enjten ne Veri kundër zgjedhjeve, mendon se do të jetë i vogël numri i qytetarëve që do t’i përgjigjen kësaj ftese

“Nuk besoj që protesta për bojkot të zgjedhjeve do të ketë përkrahje nga qytetarët. Shumica e pjesëmarrësve mund të jenë të paguar dhe nuk kanë ndonjë ideologji të tyre”, tha Ivanoviq. Koha